Mbi 2.5 miliardë euro për vitin 2023 pritet t’i ketë nën menaxhim Trusti

02 nëntor 2022 | 13:25

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka shqyrtuar kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale (FKPK) për miratimin e taksave vjetore për vitin 2023.

Kryetari i këtij komisioni, Armend Muja, ka thënë se buxheti i Trustit për aktivizimin operacional për vitin 2023 është më i vogël se sa buxheti i vitit 2022.

“Bordi drejtues i FKPK-së ka miratuar buxhetin e fondit për aktivizimin operacional për vitin 2022 në shumë prej 1 milion e 290 mijë e 395 euro apo 31 mijë e 132 euro më i ulët se sa buxheti i vitit 2022. Për këtë arsye ju kemi ftuar që ta justifikoni”, ka thënë Muja.

Ndërsa Ruzhdi Morina, kryesues i bordit drejtues të Trustit ka thënë se në vitin 2023 nën menaxhim pritet të jenë mbi 2.5 miliardë euro.

Sipas tij, taksat e ngarkuara mbi mjete pensionale në vitin 2023 do të jenë në nivelin më të ulët që nga themelimi i këtij institucioni.

“Pritjet gjatë vitit 2023 janë që mjetet mesatare nën menaxhim gjatë vitit pritet të jenë rreth 2 miliardë e 571 milionë euro që rezultojnë nga vlerësimet si në vijim, presim që të arkëtojmë 2 miliardë e 424 milionë euro mjete në menaxhim. Kontribute presim që të arkëtojmë 230 milionë euro si dhe pagesat e pensioneve presim që të jenë 65 milionë euro. Vitin presim ta përfundojmë më 2 miliardë e 719 milionë euro në mjete në menaxhim. Taksa operacionale për vitin 2023 e propozuar me normë 0.05 për qind e mjeteve është me ulje nga norma aktuale sa ishte 0.057 për qind, bazuar në këtë kuvendit i rekomandoj që të aprovoj taksen investuese vjetore prej 0.032 për qind të mjeteve dhe taksen operacionale vjetore prej 0.05 për qind të mjeteve”, ka thënë Morina.

 

Kurse Muja ka thënë se sipas raportit të Trustit në Kosovë mesatarisht pensionohen deri në 6  mijë persona në vit.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Delegacioni i 8 anëtarëve të IPAC nga  Bashkimi Evropian, Gjermania,…