Mbi 2 600 të vdekur nga koronavirusi në të gjithë botën
Koronavirusi po vazhdon të marrë jetë njerëzish në të gjithë botën. Shifrat flasin për 2 609 të vdekur dhe 79 356 të infektuar në të gjithë globin.
Vetëm në Kinë 150 persona të tjerë kanë ndërruar jetë ndërsa Komisioni Kombëtar i Shëndetit të Kinës ka njoftuar se numri i të vdekurve në të gjithë vendin tashmë është 2 582.
Me përjashtim të vetëm një rasti, të gjitha vdekjet kanë ndodhur në provincën Hubei, ku është edhe epiqendra e këtij virusi.
Sa i përket vendeve të tjera përveç Kinës, numrin më të lartë të vdekjeve e ka Irani me tetë të tilla, pastaj Koreja e Jugut me 7 vdekje nga koronavirusi, ndërsa Japonia ka katër.
Italia e cila ka shqetësuar shumë së fundmi për shkak të gjendjes së koronavirusit ka tri vdekje deri më tani, ndërsa Hong Kongu dy.
Vendet si Filipinet, Tajvani dhe Franca kanë regjistruar nga një vdekje prej koronavirusit.