Mbi 2 milionë somalezë mund të vdesin nga uria
OKB-ja paralajmëron se mbi 2 milionë njerëz mund të vdesin nga uria në Somali nëse urgjentisht nuk dërgohen ndihma në këtë vend afrikan.
Koordinatori i OKB-së për çështjet humanitare dhe emergjencat, Mark Lowcock, ka deklaruar se më shumë se 2 milionë njerëz në Somali mund të vdesin nga uria deri në fund të verës, nëse nuk dërgohen ndihma ndërkombëtare sa më shpejtë në këtë vend afrikan të prekur nga thatësira.
Lowcock ka deklaruar se Somalia ka nevojë për rreth 700 milionë dollarë (rreth 620 milionë euro) pas një sezoni pa shi që shkaktoi ngordhjen e bagëtive dhe shkatërroi të mbjellat.
Ai ka thënë se Fondi Qendror i OKB-së për Ndihma dhe Emergjenca ndau 45 milionë dollarë (rreth 40 milionë euro) për ushqim, ujë dhe nevoja të përditshme në Somali, si dhe në disa pjesë të Kenias dhe Etiopisë, të cilat gjithashtu janë prekur nga thatësira.
Në Somali, rreth 3 milionë njerëz, edhe pa thatësirën e këtij viti, çdo ditë përpiqen të plotësojnë nevojat minimale për ushqim./AA/