Mbi 20 të vdekur nga të ftohtët siberian në Evropë
Nga Balltiku në Mesdhe, Europa është paralizuar nga reshje të dendura të dëborës dhe temperatuara disa gradë nën zero, si pasojë e një vale të ftohti të ardhur nga Siberia, që ka shkaktuar më shumë se njëzet të vdekur në katër ditë.
Kjo valë e të ftohti është cilësuar nga mediat britanike si “Bisha e Lindjes”, “Ariu i Siberisë” në Holandë, ‘’topi i dëborës’’ në Suedi apo ‘Moskë-Paris’ në Francë, është një kërcënim për shëndetin e më të brishtëve, të pastrehëve, apo në veçanti personave të moshuar.
Temperaturat priten të jenë nën zero gjatë mbrëmjes, duke zbritur deri në -24 gradë Celsius në shtete të ndryshme, si rasti i Gjermanisë, -29 gradë Celsius në Estoni, -18 gradë Celsius në Republikën Çeke.
Të paktën 23 persona kanë vdekur si pasojë e të ftohtit prej së premtes, nëntë në Poloni, ku pesë vetëm gjatë mbrëmjes së të hënës deri të martën, tre persona të pastrehë në Francë dhe në Republikën Çeke, pesë në Lituani, dy në Rumani, ku një grua rreth 83 vjeç u gjet sot e mbuluar nga dëbora në rrugë dhe një i pastrehë në Itali. Në Estoni i ftohti ka shënuar shtatë të vdekur gjatë gjithë muajit shkurt.
Nga njëri skaj i Europës në tjetrin, termometri ka rënë ndjeshëm dhe sistemet e ngrohjes po punojnë me kapacitet të plotë. Grupi i gazit rus “Gazprom’’ njoftoi se brenda gjashtë ditësh ka shënuar nivele rekord të eksporteve ditore drejt Europës. Rekordi i fundit u regjistrua të hënën me 666,8 milionë metër kub, përcjell Atsh.
Në Suedi, temperatura -39,6 gradë Celsius u regjistrua sot në Lapland dhe Austria regjistroi temperaturën më të ulët -25,4 gradë Celsius në Flattnitz (jug), një shifër rekord për shkurtin.
Londra përjetoi sot reshje të dendura dëbore. Gazetat britanike publikonin foto mbresëlënëse të sipërfaqes së ngrirë të lumit Kam.