Mbi 200 mijë armë pa leje në duart e qytetarëve
Posedimi i paligjshëm i armëve paraqet një problem serioz në fushën e sigurisë së përgjithshme dhe në mënyrë direkte kërcënon jetën e qytetarëve.
Sipas një analize të bërë nga UNDP-ja në Kosovë janë diku mbi 200 mijë armë në duart e qytetarëve.
Ministria e Punëve të Brendshme ka harmonizuar shumicën e kornizës ligjore sa i përket fushës së armëve në përputhje me Strategjinë kombëtare për kontrollimin e armëve të vogla dhe të lehta.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë se çështja e rregullimit të armëve ilegale është duke u përmirësuar nga viti në vit.
Mirëpo, sipas tij, përdorimi i armëve ilegale në grabitje, në rastet e dhunës në familje dhe dhunës nëpër shkolla, janë bërë shqetësuese.
Rastet e fundit të grabitjeve të dhunës në familje, dhunës nëpër shkolla është bërë shqetësim për qytetarët tanë. Policia e Kosovës çdo vit konfiskon mbi 1 mijë armë.
Dukuri tjetër shqetësuese është edhe përdorimi i armëve të paligjshme nëpër ahengje familjare. Gazmend Hoxha nga Divizioni për rend dhe siguri publike në Policinë e Kosovës, ka thënë për “Radio Kosovën” se policia gjatë gjithë sezonit së verës ndërmerr operacione të veçanta që të mos ketë të shtëna me armë nëpër ahengje.
Policia e Kosovës gjatë gjithë sezonit veror ka operacione dhe kampanja të veçanta që të shtënat me armë të mos ndodhin nëpër ahengje.
Armët e konfiskuara, e që nuk legalizohen ato shkatërrohen. Ndërkaq, që nga pas lufta e deri më tani Policia e Kosovës ka shkatërruar mbi 11 mijë armë.