
Mbi 200 mijë euro vlera e pasurisë së konfiskuar në tre muajt e fundit të vitit të kaluar
Në tre muajt e fundit të vitit të kaluar janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën mbi 200 mijë euro, ndërsa vlera e pasurive të sekuestruara për tetor – dhjetor është mbi 3.7 milionë në 51 raste. Kështu u tha të hënën në mbledhjen e Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Kryesuesi i Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka shpalosur raportin tremujor tetor – dhjetor të vitit të kaluar, raporton ksp.
“Në tremujorin e fundit janë raportuar pasuri të konfiskuara në shumën prej 207 mijë euro, në shtatë raste, ndërsa vlera e sekuestrimeve për këtë tremujor e kap vlerën e mbi 3.7 milion euro pasuri të sekuestruara apo në 51 raste të ndryshme. Kjo është një veçori pozitive, meqë ka pasur raste edhe me konfiskim edhe me sekuestrim. Ndërsa, një aspekt tjetër pozitiv për tre mujorin e fundit të vitit 2024 ka qenë vazhdimi i përgjigjeve pozitive në kërkesat për shitjen e aseteve, ku në tre mujorin e fundit janë paraqitur 28 kërkesa”, tha ai.
Tutje, Fazliu theksoi se nga ana e Prokurorisë Speciale janë paraqitur katër kërkesa për shitje të aseteve.
Megjithatë, theksoi se ka dështim të funksioneve prokuroriale, meqë sipas tij ka prokurorë që nuk bëjnë kërkesa për shitje të aseteve.
“Gjatë ditëve dhe javëve të kaluara kemi kërkuar nga ana e koordinatorëve lokalë që të intensifikohet puna në paraqitjen e kërkesave të tilla, mirëpo nga përgjigjet që kemi pranuar shihet se ka prokurori dhe prokurorë që nuk kanë kthyer fare përgjigje në këtë çështje. Ne e kemi pajisur kryeprokurorin e shtetit dhe kryesuesin edhe me lista të posaçme të secilës prokurori, ku mund të shihen që ka prokurori dhe prokuror që me tepër se pesë apo gjashtë vite kanë veturat e sekuestruara, mirëpo nuk kanë paraqitur kërkesa për shitje. Buxheti i shtetit po vazhdon që të dëmtohet në mënyrë të vazhdueshme me këtë çështje”, shtoi ai.