Mbi 200 të mitur të arrestuar për përdorim të drogave
Në shtatë mujorin e parë të këtij viti, janë arrestuar 231 persona të moshës së mitur, të cilët janë zënë duke abuzuar me substanca narkotike.
Derisa sipas Policisë, për këtë periudhë kohore gjithsej janë arrestuar 1200 persona, për të njëjtën vepër penale.
Në Kosovë llogaritet se janë rreth 25 mijë përdorues të substancave narkotike. Rreth pesë mijë prej tyre, konsiderohet se janë përdorues aktivë të narkotikëve të ndryshëm.
Daut Hoxha, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës duke folur për “Radion Evropa e Lirë” ka shpjeguar se sipas rasteve të regjistruara në polici, mosha e personave që më së shumti konsumojnë droga të ndryshme është nga 21 deri në 35 vjet.
“Nga të dhënat që posedon Policia e Kosovës, numri i konsumuesve të drogave dallon varësisht prej llojit. Numri i konsumuesve të heroinës ka rënë dukshëm, e po ashtu edhe numri i rasteve të heroinës dhe qarkullimi i heroinës nëpër Kosovë në përgjithësi, ndërsa numri i konsumuesve të mariuhanës është në rritje”, ka thënë Hoxha.
Më tutje, Hoxha ka thënë se për parandalimin e kultivimit të drogave, Policia ka realizuar patrullime me helikopterë në bashkëpunim me KFOR-in dhe EULEX-in, kontrollin e lokacioneve të dyshuara me dronë si dhe ka marr informata nga qytetarët.
“Kultivimi nuk është shumë i theksuar në Kosovë. Mbjellja bëhet kryesisht nga përdoruesit për përdorim personal në sasi të vogla, me ndonjë rast ku është tentuar të kultivohet në sasi më të madhe, por ekzistojnë edhe vende ku kanabisi mbin vetvetiu (bimë të egra), vende të cilat Policia i ka identifikuar dhe bimët janë shkatërruar në fazën e hershme”, ka deklaruar Hoxha.
Ndërsa Safet Blakaj nga Qendra Mediko-Psikoterapeutike “Labirint”, ka thënë se shqetësues mbetet fakti se në Kosovë në vazhdimësi hyjnë droga të reja, e që përdoren nga të rinjtë pa pasur njohuri për to.
“Edhe këtë vit po vazhdon trendi i përdorimit të drogave nga të miturit, pra nën moshën 18-vjeç. Kryesisht fillojnë përdorimin e drogës kanabis, pra marihuanës, por edhe disa droga të tjera të reja, siç është ekstazi dhe lloje tjera. Këto janë drogat e lakmueshme nga adoleshentët”.
“Një problem tjetër që na shqetëson, e që janë barnat që mund të merren pa përshkrim të mjekut, dhe blihen qoftë përmes tregut të zi apo nëpër barnatore, e që po e rrezikojnë shëndetin e të rinjve”, ka thënë Blakaj.
Sipas Blakajt droga ‘GHB’ (Hydroxybutyric acid) është duke u përdorur shumë nga të rinjtë në Kosovë.