Mbi 200 thasë me mbeturina largohen në Merdare
Dhjetëra vullnetarë të “Let’s Do It Kosova” kanë larguar mbi 200 thasë me mbeturina përgjatë rrugës që të çon tek pika kufitare në Merdare.
Gjatë aksionit të sotëm që filloi në orën 11:00, ndërsa zgjati deri në orën 13:00, mbeturinat u larguan nga rreth një kilometër e rrugës.
Pjesa e papastruar në aksionin e sotëm do të pastrohet në aksionin e madh të 15 shtatorit.
Drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj, ka thënë se pasqyra e parë që sapo hyjmë në një shtet është ajo që na del përpara, andaj nuk duhet të lejojmë pamje të tilla.
“Qytetarët tonë nuk janë të tillë. Këtë po e bazoj në faktin se kujdesemi mirë për pronat tona, por jo edhe për pronat publike. Shteti i cili është pronar legjitim i këtyre pronave duhet të kujdeset dhe të marrë masa kur ato dëmtohen. Dua ta shfrytëzoj këtë ditë për t’i ftuar edhe institucionet që të jenë të kujdesshme ndaj ambientin, siç është rasti me këtë vend këtu, ku duhet të vendosen shporta të mbeturinave”, ka thënë ai.
/Epoka e re/