Mbi 200 zyrtarë të OSBE-së do të angazhohen për zgjedhjet në veri
Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, ka vizituar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ku është takuar me kryetare e këtij komisioni, Valdete Daka.
Në këtë takim, ambasadori Braaathu, ka thënë se OSBE-ja i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së KQZ-së për t’i ndihmuar me këshilla teknike të nevojshme gjatë procesit zgjedhor në katër komunat në veri.
Braathu ka bërë me dije se OSBE-ja do ofrojë rreth 215 zyrtarë që të ndihmojnë për zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri.
“Duke u bazuar në përvojat paraprake, OSBE-ja është kërkuar të ofrojë këshilla teknike për komunat e veriut, dhe duke u bazuar në shkëmbimin e letrave me KQZ-në jemi të gatshëm të ofrojmë për KQZ-në dhe votuesit ndihmën tonë. Ju garantoj se misioni i OSBE-së ka vullnetin të ofrojë këshilla teknike të kërkuara dhe asistencat e kërkuara për këshillat e vendvotimeve për zgjedhjet në komunat e veriut”, ka thënë ai.
Ambasadori Braathu ka thënë se tashmë OSBE-ja ka filluar përgatitjet për këshillat teknike dhe deri më tani bashkëpunimi është mjaftë i mirë.
“Ekipi është krijuar dhe udhëhiqet nga Bujar Basha. Ka ekspertë të rajonit. Janë ekspertë të kërkuar nga misionet e OSBE-së në rajon”, është shprehur Braathu.