Mbi 21 milionë të infektuar me Covid-19
Ka shkuar mbi 21 milionë numri i të infektuarve me Covid-19 në mbarë botën që nga fillimi i pandemisë. Sipas shifrave të publikuara nga universiteti John Hopkins, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë regjistruar mbi 5.3 milionë të infektuar.
Këto shifra të larta e rendisin ShBA-në në vendin e parë për nga numri i të infektuarve dhe i të vdekurve nga Covid-19.
Kalifornia, ndërkohë është shteti i parë amerikan që ka mbi 600 mijë të infektuar me koronavirus dhe rreth 11 mijë vdekje si pasojë e tij.
Për shkak të gjendjes së krijuar në ShBA, Kanadaja ka njoftuar se do të vijojë të mbajë të mbyllur kufirin me ShBA-në edhe për një muaj tjetër. Shumë kanadezë janë të shqetësuar për rihapjen e kufirit pasi deri më tani vendi ia ka dalë me sukses të rrafshojë trajektoren e pandemisë.
Në lidhje me gjendjen e rëndë në ShBA, presidenti Donald Trump vijon të mos mbajë përgjegjësi dhe madje gjatë një konference me gazetarët në Uashington hodhi poshtë edhe paralajmërimet e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve se vjeshta mund të sjellë gjendjen më të keqe dhe një krizë për sektorin e shëndetit publik.
Gjatë një konference në New Jersey, Trump tha se nuk bie dakord me parashikimin e autoriteteve shëndetësore:
“Nëse i shikoni numrat e të infektuarave, po bien kudo. Ne e kemi kryer drejt punën tonë,” ka deklaruar ai para gazetarëve./oranews/