Mbi 23 000 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri
Tërmeti që goditi rajonin pranë kufirit mes Turqisë dhe Sirisë, tashmë ka marrë jetën e më shumë se 23 mijë personave. Ky rajon është shtëpi e 13.5 milionë njerëzve.
Ekipet e kërkim-shpëtimit bënë përpjekjet e fundit gjatë natës të së enjtes për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shembura.
Pamje të realizuara me dronë nga lartësia shfaqën shkatërrimin e lënë pas, me lagje të tëra të rrafshuara.
Shifrat e reja, të cilat çdo ditë po rriten, përfshijn mbi 19.888 njerëz të vdekur në Turqi dhe më shumë se 3.500 në Sirinë tashmë të shkatërruar nga lufta civile. Gjithashtu, dhjetëra mijëra njerëz u lënduan.
Edhe pse ekspertët thonë se njerëzit mund të mbijetojnë për një javë ose më shumë, shanset për të gjetur të mbijetuar në temperaturat e ulëta, po zbehen.