Mbi 25 mijë shtëpi janë shkatërruar nga përmbytjet në Iran
Mbi 25 000 shtëpi në Iran janë shkatërruar nga përmbytjet, të cilat janë cilësuar si më të rëndat në dekadën e fundit.
Kjo shifër është bërë me dije nga Hadi Darfishi, zëvendësdrejtor i Fondacionit të Strehimit, një organizatë bamirëse që mbikëqyret nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei.
Ai ka thënë se 60 000 shtëpi të tjera janë dëmtuar rëndë.
Autoritetet, më herët, kanë njoftuar se së paku 45 njerëz kanë vdekur që nga data 19 mars, si pasojë e shirave të furishëm që kanë përfshirë pjesët veriore, qendrore dhe jugore të Iranit.
Zyrtarët kanë thënë se do t’i kompensojnë qytetarët për dëmet materiale.
Organizata Meteorologjike e Iranit u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos udhëtojnë në zonat e përmbytura, duke paralajmëruar për më shumë reshje shiu.
Garda Revolucionare e Iranit dhe ushtria janë duke marrë pjesë në përpjekjet e shpëtimit.