Mbi 250 milionë euro të hyra për katër muaj nga mërgimtarët
Në 4 muajt e parë të këtij viti, qytetarët e Kosovës kanë pranuar afro 19 milionë euro më shumë se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, nga familjarët e tyre mërgimtarë.
Sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, dërgesat e mërgimtarëve për familjarët e tyre në Kosovë që ndryshe njihen si remitenca, çdo herë kanë pas trend të rritjes.
Financimet e qytetarëve të Kosovës nga bashkatdhetarët që jetojnë në mërgim e që ndryshe njihen si remitenca, gjatë 4 muajve të parë të këtij viti janë rritur për më shumë se 18 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Bankës Qendrore të Kosovës, Kushtrim Ahmeti, i cili tha se deri më tani BQK ka nxjerr raport vetëm për periudhën katërmuajshe, por shtoi se trendi i rritjes së remitencave po vazhdon.
“Shuma e remitencave të dërguara për periudhën janar-prill të këtij viti ka arritur 253,5 milionë euro, nëse e bëjmë krahasimin me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar atëherë vlera është 18,7 milionë euro më shumë”, ka theksuar Kushtrim Ahmeti për “Radio Kosova”.
Por, nëse këto mjete kanë destinim të caktuar ose shfrytëzohen për projekte të caktuara, Ahmeti tha se të gjitha mjetet shkojnë për konsum.
“Vlerat që dërgohen të remitencave janë vlera të vogla, por në total bëhen vlera të mëdha dhe kryesisht shkojnë për konsum, financim të studentëve për studime dhe gjëra të tjera”, ka shtuar ai.
Megjithatë, trendi i rritjes së remitencave në Kosovë ka filluar dhjetëra vite më herët dhe jo vetëm vitet e fundit.
“Nëse bazohemi edhe në të dhënat e fundit por edhe të dhënat e përgjithshme, kemi pas rritje vazhdimisht të remitencave të cilat mërgimtarët tonë i kanë dërguar për familjet e tyre në Kosovë. Nuk ka pasur rënie, kemi pasur kohë pas kohe ndonjë stabilitet por kryesisht kemi rritje të përkohshme, mjafton të shohim vetëm 4 muajt e parë të këtij viti dhe 4 muajt e vitit të kaluar ku kemi 18,7 milionë euro më shumë, dhe kjo tregon që vazhdon të ketë rritje të dërgimit të remitencave nga mërgimtarët tanë te familjet e tyre që jetojnë në Kosovë”, ka nënvizuar Ahmeti.
Ndryshe, sipas disa të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vlerësohet se janë mbi 700 mijë kosovarë që jetojnë në vende të ndryshme të botës. Numri më i madh i tyre jetojnë në shtetin e Gjermanisë, pasuar nga Zvicra dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.