Mbi 3 000 të vdekur nga koronavirusi në gjithë botën
Dhjetëra vende po punojnë për të frenuar epideminë e koronavirusit, i cili ka shkaktuar vdekjen e mbi 3 mijë vetëve, përfshirë dy në Shtetet e Bashkuara.
Koreja e Jugut ka njoftuar për 600 raste të reja të hënën, ndërsa kreu i një grupi fetar që ka lidhje me shumicën e rasteve në atë vend, Lee Man-hee tha se kisha e tij po bashkëpunonte me qeverinë për të parandaluar përhapjen e mëtejshme.
“I kërkoj ndjesë popullit si përfaqësues i Kishës Shincheonji. Nuk ishte e qëllimshme por shumë pacientë janë infektuar”, ka thënë ai, raporton “Voa”.
Të hënën u njoftuan dy rastet e para në Indonezi që zyrtarët e shëndetësisë thonë se e kishin burimin nga një shtetas japonez i prekur nga virusi.
Rastet janë konfirmuar në të paktën 60 vende dhe virusi ka infektuar mbi 89 mijë vetë që kur u shfaq në dhjetor.
Italia është vendi që është goditur më rëndë në Evropë dhe të dielën numri i rasteve arriti në rreth 1,700. Zyrtarët parashikojnë që ky numër të rritet.
Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se shumica e pacientëve të koronavirusit janë të rritur me simptoma që përfshijnë ethet, kollë të thatë dhe marrje fryme.
OBSH-ja thotë se 80% të rasteve janë të lehta, 14% të rënda dhe 5% të të infektuarve nga virusi, përjetojnë gjendje kritike. Organizata thotë se ata që kanë rastet më të rënda, janë mbi 60 vjeç dhe kanë edhe probleme të tjera shëndetësore.