Mbi 300 nxënës nga Klina morën pjesë në garën ndërkombëtare të matematikës
Mbi 300 nxënës të Komunës së Klinës të nivelit fillor dhe të mesëm kanë marrë pjesë në Garën Ndërkombëtar të Matematikës “Kangaroo”.
Këtë garë e cila është mbajtur në ambientet e Shkollës së Mesme Teknike “Fehmi Agani” në Klinë, e ka përcjellë nga afër drejtori i Arsimit, Arben Limani.
“Interesimi i nxënësve për të marrë pjesë ka qenë jashtëzakonisht i madh. Organizimi është mjaftë i mirë dhe kjo garë është një formë e mirë për nxënësit që të ambientohen në testet e ardhshme dhe që të shpalosin talentin e tyre në lëndën e matematikës”, ka thënë Limani.
Ai ka thënë se pushteti lokal është i përkushtuar në rritjen e cilësisë në arsim, sidomos në lëndën që janë prioritare, siç është matematika.
Për mbarëvajtjen e garës është përkujdesur Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA) në Klinë në bashkëpunim me arsimtarët e lëndës së matematikës.
Instituti “Atomi” me përkrahje nga MAShT-in dhe autorizim të Asociacionit Kangourou Sans Frontieres (AKSF), kanë organizuar Garën Ndërkombëtare të Matematikës në Kosovë.
“Kangaroo” është gara me e popullarizuar në botë për matematikë, që ka për qëllim promovimin dhe popullarizimin e matematikës, si dhe përkrahjen e talentëve të fushës së matematikës.
Të drejte pjesëmarrje në këtë garë kanë pasur të gjithë nxënësit prej klasës II deri në klasën e XII, pa marrë parasysh suksesin e tyre.
Vitin e kaluar në këtë garë kanë marrë pjesë mbi 6 milionë nxënës nga mbi 170 shtete të ndryshme të botës.