Mbi 330 mijë të zhvendosur brenda vendit nga konflikti në Sudan
Të paktën 334 mijë njerëz janë zhvendosur brenda vendit në Sudan që nga shpërthimi i luftimeve për kontrollin e vendit në mes të prillit, sipas Kombeve të Bashkuara.
Një zëdhënës i Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin (IOM) në Gjenevë, ka thënë të martën se shumica e tyre, rreth 240 mijë njerëz, janë zhvendosur në zonat e Darfurit Jugor dhe Perëndimor, në perëndim të vendit.
Edhe para fillimit të përleshjeve të fundit, në Sudan ishin 3.7 milionë njerëz të zhvendosur për shkak të konflikteve të mëparshme.
Ndërkohë, numri i njerëzve nga Sudani që kërkojnë strehim në vendet fqinje ka kaluar 100 mijë, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët UNHCR.
Shumë prej tyre kanë mbërritur në Çad, Sudanin e Jugut dhe Egjipt. Mes tyre ka sudanezë, por edhe refugjatë nga vende të tjera që kishin gjetur strehë në Sudan.
“UNHCR, me qeveritë dhe partnerët, po përgatitet për mundësinë që mbi 800 mijë njerëz mund të ikin nga luftimet në Sudan për në vendet fqinje. Shpresojmë që të mos bëhet kështu”, ka thënë të hënën shefi i UNHCR-së, Filippo Grandi, raporton “Rel”.
Presidenti de fakto i Sudanit Abdel Fattah al-Burhan ka luftuar me zëvendësin e tij Mohammed Hamdan Daglo me ndihmën e ushtrisë që nga 15 prilli.
Daglo është udhëheqësi i paraushtarakëve me ndikim Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF).
Dy gjeneralët kanë marrë udhëheqjen e vendit prej rreth 46 milionë banorësh përmes dy grushteve të shtetit në 2019 dhe 2021.
Qindra njerëz janë vrarë që nga fillimi i luftimeve.
Qeveritë nga e gjithë bota kanë nisur misionet e evakuimit për t’i transportuar qytetarët e tyre.