Mbi 375 milionë kupona fiskal u lëshuan gjatë vitit 2021 në Kosovë
Procesi i fiskalizimit i nisur para më shumë se një dekade, gjatë vitit 2021, ndonëse në kushte pandemie, sipas të dhënave zyrtare nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), ka treguar sukses të jashtëzakonshëm.
Vetëm gjatë vitit 2021 rreth 3 000 biznese të reja, kanë hyrë në sistemin shtetëror fiskal. Mbi 4 000 pajisje PEF kanë nisur funksionimin, duke qenë drejtpërdrejt të lidhura në sistemin fiskal dhe nën kontrollin e Administratës Tatimore të Kosovës.
Mbi 23 000 biznese kanë raportuar për punën dhe financat e tyre përmes procesit fiskalizues për Institucionet mbikëqyrëse.
Mbi 32 000 pajisje fiskale kanë dërguar raporte drejtpërdrejt në Administratën Tatimore duke raportuar qarkullimet e tyre me pajisje fiskale dhe rrjedhimisht duke paguar tatimet për shtetin e Kosovës.
Mbi 7 milionë raporte janë pranuar nga institucionet financiare të vendit, për punën e bizneseve dhe atë në kohë reale, përmes sistemit fiskal ekzistues.
Ndërkaq sipas këtyre të dhënave mbi 375 milionë kupona fiskal janë lëshuar nga bizneset vetëm gjatë vitit 2021.
Këto të dhëna tregojnë që arka fiskale është instrumenti më i suksesshëm i institucioneve financiare të vendit, për të mbledhur taksat dhe për të siguruar stabilitetin financiar.