Mbi 4 mijë persona hoqën dorë nga shtetësia e Kosovës në vitin 2022

01 janar 2023 | 22:29

Obligim, dëshirë apo “trend”, çfarëdo qoftë, e sido që ta quajmë, për 2 vitet e fundit nga shtetësia e Republikës së Kosovës kanë hequr dorë 9 mijë e 361 persona.

Siç kanë bërë të ditur për lajmi.net nga ministria e Punëve të Brendshme, veç brenda 11 muajve të 2022-tës, nga shtetësia e Kosovës janë liruar gjithësej 4 mijë e 423 persona.

“Në vitin 2021, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,938 persona. Gjatë periudhës 01.01.2022-30.11.2022, nga shtetësia e Republikës së Kosovës janë liruar gjithsej 4,423 persona.”, bënë të ditur ministria e Punëve të Brendshme.

Kur është në pyetje nënshtetësia e Kosovës apo e shteteve të Bashkimit Evropian, kosovarët duket se me përzemër e kanë atë të BE-së.

Kjo pasi që, sipas kësaj ministrie, arsyet më të shpeshta të heqjes dorë nga nënshtetësia e RKS-së është pikërisht marrja e asaj të shteteve të BE-së.

“Arsyet pse personat heqin dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës, është pasi që shumë shtete të Bashkimit Evropian nuk lejojnë dyshtetësinë përfshirë këtu edhe disa shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian”, njofton MPB-ja.

Kjo ministri për lajmi.net ka treguar se kosovarët janë të obliguar ta bëjnë një gjë të tillë.

Kjo sepse një numër i madh i tyre kanë lindur dhe janë rritur në ato shtete.

“Duke pas parasysh që një numër i madh i shtetasve tonë jetojnë tashmë me vite në këto shtete e një numër i madh edhe kanë lindur në këto shtete dhe si rezultat i saj  kanë fituar të drejtën e Fitimi të Shtetësisë dhe janë të obliguar të lirohen nga shtetësia e mëparshme në rast se dëshirojnë ta fitojnë shtetësinë e atij vendi.”, vazhdon tutje ministria.

Nga departamenti për shtetësi, azil dhe migracion në MPB janë shprehur se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, ka pasur një trend të njëjtë të personave që kanë hequr dorë nga shtetësia.

Ndërsa, sa i përket moshës, sipas tyre gjeneratat e reja janë ato që kryesisht kërkojnë të heqin dorë nga shtetësia e Kosovës.

Megjithatë, çdonjëri ka të drejt për të hequr dorë nga shtetësia e një vendi dhe nuk mund të ndalohet dikush i cili dëshiron të heqë dorë nga shtetësia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti francez, Emmanuel Macron ka uruar qytetarët e Kroacisë për…