Mbi 4 milionë euro për rrugët që dërgojnë në Prevallë dhe Brezovicë
Ministri i Infrastrukturës (MI), Pal Lekaj, ka bërë me dije se do të investohen mbi 4 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve regjionale që të dërgojnë për në Prevallë dhe në Brezovicë.
“Mbi 4 milionë euro për rehabilitimin e rrugëve regjionale, R115 dhe R210, dy degëzime që të dërgojnë për në Prevallë dhe në Brezovicë. Ky investim do të mundësojë qasje me të lehtë në bukuritë e Prevallës dhe Brezovicës, komunikim më të shpejtë për komunitetin që jeton në këtë zonë dhe rritje të kapaciteteve për zhvillim të turizmit. Investimi do të ndodhë edhe në zonën e Komunës së Shtërpcës e për të diskutuar lidhur me këtë investim që do të bëjë Ministria e Infrastrukturës, sot e prita në takim kryetarin, Bratislav Nikoliq, të cilin e njoftova se si ministri në këtë pjesë të R115, do të investojmë 1.2 milion euro dhe do të ndërtojmë një infrastrukturë me të gjitha elementet përcjellëse”, ka shkruar Lekaj në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se përmes investimeve në zonat e mrekullueshme malore të Kosovës, vendin tonë e afrojnë edhe më tepër me turistët dhe investitorët.
/Epoka e re/