Mbi 40 mijë vota të pavlefshme në zgjedhjet e 6 tetorit
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit, 40 mijë e 732 fletëvotime janë vlerësuar si të pavlefshme.
Komunat që prijnë për nga numri i fletëvotime të pavlefshme, sipas KDI-së janë Skenderaj, Novobërda, Drenasi dhe Podujeva.
Por hendek i këtij numri kaq të madh të fletëvotimeve të pavlefshme po konsiderohet mos informimi adekuat për mënyrën e votimit nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe subjekteve politike.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë për “Kosovapress”, se derisa rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit ende nuk janë certifikuar, KQZ-ja nuk ka identifikuar natyrën e pavlefshmërisë së votave.
Por që sipas tij një raport më i detajuar për pavlefshmërisë së votave do bëhet më vonë.
Elezi nuk e ka anashkaluar edhe mundësinë që mos informimi po ndikon në numër të madh të këtyre lloj votash, dhe këtë e arsyeton me afatin e shkurtër për organizim të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
Dukuria e fletëvotimeve të pavlefshme ka qenë prezente edhe në dy palë zgjedhjet parlamentare të mëhershme. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, numri i fletëvotimeve të tilla kishte qenë 30 mijë e 725, kurse në zgjedhjet e kaluara gjithsej ishin 42 mijë e 554 fletëvotime të pavlefshme.