Mbi 40 për qind e gastronomëve nuk i kanë marrë subvencionet, janë pro faljes së gjobave të pandemisë
Mbi 40 për qind të bizneseve të sektorit të gastronomisë ende nuk i kanë marrë subvencionimin e premtuar nga Ministria e Financave për mbylljen e fundit si masë mbrojtëse kundër pandemisë.
Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica, ka thënë se gjatë mbylljes 12-ditore shumica e bizneseve nuk kanë operuar me shërbimet si “take away” dhe “delivery”.
Ai ka theksuar se mbi 10 milionë euro dëme kanë ndodhur në sektorin e gastronomisë.
Vranica ka thënë se procesi i subvencionimit është duke u prolonguar, teksa ka shtuar se nëse nuk përfundon procesi i subvencionimit deri më 12 qershor, do të “trokasin” sërish në derën e Ministrisë së Financave.
Sipas tij, vendimi për zgjatjen e orarit të gastronomisë deri në ora 23:00 do të duhej të merrej dy javë më herët në mënyrë që tash të flitej për hapjen e tërësishme të industrisë.
“Kjo është tepër e qartë sa i përket kapaciteteve të bizneseve për të përballuar mbylljen e dytë. Ka pasur një tkurrje të jashtëzakonshme të likuiditetit dhe pengesa të jashtëzakonshme me kredi, ku 60 për qind e bizneseve kanë marrë kredi para pandemisë. Të gjitha këto pengesa janë të jashtëzakonshme, andaj edhe vonesa të tilla sa i përket subvencionimit të pagës dhe të qirasë është shumë e vonshme. Ne jemi shumë vonë me marrjen e një vendimi, i cili na lejon operimin deri në ora 23:00 sepse do të duhej të ndodhte në masën e kaluar”, ka thënë Vranica.
Më tutje, Vranica ka thënë se është pro faljes së dënimeve për ata që kanë shkelur masat anti-Covid. Madje ai ka thënë se do të duhej të kompensoheshin edhe ata që tashmë kanë paguar këto dënime, sikurse ka bërë Shqipëria.
“Duhet të ketë trajtim të barabartë të të gjithëve pa asnjë dallim dhe duhet të ketë një lloj proporcionaliteti të institucioneve sa i përket masave të tilla, duke pasur parasysh edhe karakterin retroaktiv të këtij projektligji që do të duhej të iniciohej. Duke pasur një karakter të tillë, atëherë, përveç faljes së dënimeve do të duhej të bëhej edhe kompensimi i dëmeve. Këtë e kanë praktikuar edhe vendet e tjera, siç është Shqipëria. Andaj, një gjë e tillë mund të merret edhe në Kosovë dhe do të ishte shumë e dobishme për përmirësimin e klimës afariste të bizneseve tona”, ka thënë ai.