Mbi 400 milionë euro të investimeve të mërgimtarëve shkojnë në blerje të banesave
Rreth 650 milionë euro u investuan nga jashtë në Kosovë, në dhjetë muajt e parë të vitit që shkoi.
Por nga investimet e huaja direkte që kryesisht janë të mërgimtarëve, përfitoi më së shumti sektori i patundshmërive, me 440 milionë euro.
Interesimin në rritje të mërgimtarëve për këtë, e konfirmon edhe agjencioni Access. Pronari Burim Halili thotë se qytetarët nga diaspora janë të interesuar kryesisht për blerje të banesave, lokaleve dhe toka, ndërsa më 2022 kishte rritje të blerjeve nga ta. Madje, në shumë banesa nuk banon kush gjatë pjesës më të madhe të vitit.
Por kjo nuk sjell aq efekte në ekonomi, sipas njohësit Safet Gërxhaliu, i cili thotë se investimet e huaja direkte duhet të fokusohen në tjerë sektorë.
Sipas tij, qeveria duhet ta stimulojë diasporën për investime në prodhim, por edhe të tërheq investitorë tjerë.
Sipas Bankës Qendrore, investime të huaja direkte ka edhe në financa, sigurime dhe ndërtimtari. Kurse paratë vijnë kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Amerika.