Mbi 442 mijë shërbime konsullore janë realizuar nga Ministria e Jashtme e Shqipërisë
Drejtoria e Çështjeve Konsullore në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme (MEPJ) dhe Përfaqësitë e Republikës së Shqipërisë në botë, kanë vijuar punën me kapacitet të plotë përgjatë sezonit veror duke qenë në shërbim të qytetarëve.
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, nëpërmjet llogarisë se vet në “Facebook”, ka bërë me dije se përgjatë vitit 2019 në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme janë kryer 442 054 shërbime konsullore.
Postimi i plotë i Cakajt:
Një informacion i vyer e shumë domethënës për performancën e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme në ofrimin e shërbimeve konsullore …
Për shkak të vëmendjes së shtuar në përmirësimin e cilësisë të shërbimeve ndaj qytetarëve, puna e MEPJ përgjatë vitit 2019 ka shënuar një shifër rekord në ofrim të shërbimeve konsullore. Kjo shifër përfshin: dhënie vizash, vërtetime në rast humbje dokumentesh, vërtetime identiteti, prokura të posaçme e deklarata noteriale, certifikata familjare e lindje, regjistrime fëmijësh, karta ID dhe pasaporta, mes të tjerash!
Përgjatë periudhës 1 janar – 21 gusht 2018 në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme janë kryer 246 186 shërbime konsullore. Kjo shifër është dyfishuar për të njëjtën periudhë kohore në vitin 2019 duke arritur numrin 442 054 të shërbimeve të realizuara në MEPJ.
Në të njëjtën kohë, shërbimi konsullor i përfaqësive të Shqipërisë në botë është rritur substancialisht. Përderisa në të njëjtën periudhë kohore në vitin 2018 janë kryer 51 635 shërbime në përgjithësi, në vitin 2019 kjo shifër tashmë ka arritur në 89 691!
E qartë, e qartë:
MEPJ ka ende shumë punë për të bërë për t’iu shërbyer denjësisht qytetarëve shqiptarë nëpër botë! Puna aktuale pasqyron vetëm mundësitë reale të Ministrisë por assesi vullnetin për të shërbyer më shumë e zhvilluar tutje një performancë edhe më cilësore!
Shumë shpejt shihemi me produkte të reja…
/Epoka e re/