Mbi 5 milionë euro për trajtimin e ujërave të zeza në komunën e Podujevës

24 shtator 2018 | 16:30

“Ministria e Financave çdo ditë është duke përmbushur më shumë rolin e saj në sigurimin e mjeteve për financim të projekteve me rëndësi për qytetarët e Kosovës. Si vend në zhvillim, nevojat për investime janë të mëdha, dhe së bashku me partnerët ndërkombëtarë po financojmë projekte jo vetëm të nivelit qendror por edhe të nivelit lokal”, kështu ka thënë ministri i Financave, Bedri Hamza të hënën në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes për kredi në vlerë prej 5.349 milionë euro për financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Podujevës, ndërmjet Qeverisë së Kosovës e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Qeverisë së Republikës së Austrisë e përfaqësuar nga Unicredit Bank Austria AG.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Financave, Bedri Hamza, dhe drejtoresha për eksport në UniCredit Bank Austria AG, Sabina Eder.

Ndërsa, me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshje morën pjesë edhe ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, dhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu.

Ministri Bedri Hamza duke falënderuar Qeverinë e Austrisë për bashkëpunimin e ofruar, ka pohuar se edhe në të ardhmen do të intensifikohet ky bashkëpunim.

Ai ka thënë se marrëveshje të tilla pritet të nënshkruhen edhe për Komunën e Ferizajt, Graçanicës, Shtimes dhe Istogut, të cilat veç janë në proces.
Ai ka bërë me dije se këto marrëveshje nënshkruhen pas ratifikimit të amandamentimit të marrëveshjes për bashkëpunim financiar mes dy Qeverive.

“Pasi me ligjet vendore komunat në fjalë nuk i kanë plotësuar kushtet për të marrë kredi, niveli qendror përmes Ministrisë së Financave ka marrë përsipër këtë obligim për kthimin e këtyre kredive”, ka thënë Hamza.
Ai ka thënë marrëveshja që u nënshkrua ka vlerën 5.349 milionë euro dhe ofrohet me kushte të buta nga Qeveria Austriake, që në treg njihet si kredi me normë interesi më të ulët se tregu dhe grejs periudhë më të gjatë se ajo që ofrohet në treg.

“Në praktikë për këtë marrëveshje nuk paguhet interes, mirëpo paguhen vetëm disa tarifa simbolike të garantimit të kredisë dhe zotimit të mjeteve. Në total po flasim për një vlerë prej 1.6 për qind që do të paguhet në baza vjetore për huazimin e këtyre mjeteve. Grejs periudha është 4.5 vite dhe amortizimi bëhet në 23 këste për 11.5 vite”, është shprehur ministri Hamza.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pflander, duke vlerësuar lartë nënshkrimin e kësaj marrëveshje, ka theksuar se pret që gjithçka të shkojë sipas planeve dhe sipas rregullave.

Sipas tij, marrëveshja për huan ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Austrisë është në procedurë tash e disa vite, ku tani po zbatohen dy komponentët e saj kryesore.

Ndërsa, drejtoresha për eksport në UniCredit Bank Austria AG, Sabina Eder, ka thënë se UniCredit Bank Austria AG është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë.

“Kjo është marrëveshja e parë, mirëpo jo e fundit, pasi që pritet të vazhdohet edhe me nënshkrimin e marrëveshjeve për komunat të tjera. Banka e Austrisë është krenare që është pjesë e kësaj nisme, sepse në njëfarë mënyre i sjellë më afër Kosovën dhe Austrinë”, ka deklaruar Eder.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e ka vlerësuar lartë ndihmën dhe bashkëpunimin e Qeverisë dhe popullit austriak për ta realizuar këtë projekt dhe gjithashtu kontributin e ministrit Hamza për të finalizuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje.

Ai ka theksuar se ky projekt është në të mirë të qytetarëve të Komunës së Podujevës, ku do të krijohen kushtet për trajtim më të mirë të ujërave të zeza.

I pyetur nëse do të prolongohet realizimi i kësaj marrëveshje, pasi LDK-ja ka paralajmëruar mocion për rrëzimin e Qeverisë, Veliu ka thënë se LDK-ja do të përkrah çdo marrëveshje ndërkombëtare që është në favor të qytetarëve të Kosovës.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSPJ) ka prezantuar raportin…