
Mbi 50 nxënëse afgane dyshohet se janë helmuar
02 prill 2018
| 15:41
Dhjetëra nxënëse të një shkolle të mesme në provincën Helmand të Afganistanit, janë dërguar në spital dhe zyrtarët dyshojnë se ato janë helmuar.
Shefi i departamentit të edukimit në këtë provincë, Dawood Shah Safari, i ka thënë “Radios Evropa e Lirë” se 52 nxënëse janë dërguar në një spital në Lashkar Gah.
Doktori Nisar Ahmad Barak ka thënë se vajzat e hospitalizuara kanë pasur kokëdhimbje dhe të vjella, duke shtuar se tashmë ato janë në gjendje stabile.
Nuk është ende e qartë se për çfarë lloj helmimi bëhet fjalë.
Policia dhe ekspertët kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë nisur hetimet për këtë incident.
Shumica e provincës Helmand është nën kontrollin e talibanëve, të cilët kundërshtojnë edukimin e vajzave.