Mbi 500 banorë të Llapushnikut përfitojnë nga rrjeti i ri elektrik
KEDS-i ka shtuar tempon e investimeve anekënd Kosovës. Në Llapushnik, lokalitet ky i shtrirë në pjesën qendrore të vendit, është instaluar rrjeti elektrik i ri i tensionit të mesëm dhe i atij të ulët.
Fitim Prokshi, mbikëqyrës i projekteve dhe inxhinier në KEDS, ka thënë se me instalimin e rrjetit të ri, ku përfshihen tre transformatorë, mbi 14,000m përçues elektrikë dhe rreth 230 shtylla të profileve të ndryshme, kanë përfituar më shumë se 200.
“Me instalimin e këtij rrjeti të ri elektrik, konsumatorët tanë në këto lagje të Llapushnikut tashmë kanë furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike dhe siguri”, është shprehur ai.
Ky investim, që është lëshuar në punë ditëve të fundit, ka dhënë efektet e veta menjëherë, duke sjellë shërbime më kualitative.
Banorët e këtyre lagjeve shprehen të kënaqur me rrjetin e ri elektrik. Bajram Gashi, banor i lagjes Gashi, falënderon KEDS-in që rrjetin e vjetër elektrik e zëvendësoi me të riun.
“Unë jam kthyer prej Gjermanisë në vitin 2011. Jam pensionist atje! Atëherë nuk e kemi pasur gjendjen e mirë me furnizim me energji elektrike. Që nja dhjetë ditë jemi lidhur me rrjet të ri dhe jemi shumë të kënaqur”, u shpreh ai.
Edhe Avdi Gashi, ish-profesor në shkollën e Mesme të Drenasit, e vlerëson punën e KEDS-it si shumë të nevojshme për fshatin ku jeton, duke përçuar edhe një mesazh tek të tjerët.
“Kemi pasur shtylla të vjetra! Tash kemi tension stabil dhe krejt aparaturat na funksionojnë ashtu siç duhet. Me instalimin e këtij rrjeti uroj që edhe njerëzit të vetëdijesohen dhe të mos e keqpërdorin energjinë elektrike”, ka theksuar ai.
Projekti i rrjetit të ri elektrik i tensionit të mesëm dhe të ulët në këto tri lagje kap një vlerë prej mbi 120 mijë eurosh.
KEDS-i është në përfundim e sipër edhe të një projekti tjetër në dy lagje tjera të Llapushnikut, nga i cili projekt do të përfitojnë mbi njëqind konsumatorë tjerë.