Mbi 500 luftëtarë të huaj të ISIS-it janë dënuar në Irak
Gjyqësori në Irak ka gjykuar dhe dënuar mbi 500 të huaj që nga fillimi i vitit 2018, për shkak të luftës së tyre në krah të grupit militant Shteti Islamik (ISIS), ka bërë me dije Gjykata Supreme e Irakut.
Kjo gjykatë ka theksuar se janë lëshuar 514 vendime, për burra dhe gra, ndërsa 202 të akuzuar të tjerë vazhdojnë të merren në pyetje.
Po sipas gjykatës, 11 të tjerë janë liruar.
Gjykata Supreme i është referuar atyre si qytetarë të “kombësive të ndryshme” dhe nuk ka përmendur asnjë vend të veçantë.
Iraku ka shpallur fitore ndaj Shtetit Islamik në fund të vitit 2017 dhe, vitin pasues, ka nisur gjykimin e shtetasve të huaj që i janë bashkuar grupit militant, raporton “Rel”.
Sipas disa njoftimeve, shumë sish janë dënuar me burgim të përjetshëm, përfshirë tre shtetas francezë.
Gjykata e Irakut ka lëshuar edhe dënime me vdekje për disa pjesëtarë të huaj të grupit, por ata nuk janë ekzekutuar ende.
Rreth 1 000 luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik janë në paraburgim edhe në verilindje të Sirisë.
Grupet e të drejtave të njeriut, përfshirë Human Rights Watch, i kanë kritikuar gjykimet, të cilat, sipas tyre, shpesh mbështeten në prova rrethanore ose në rrëfime të marra me tortura.