Mbi 51 mijë qytetarë kanë marrë vaksinën anti-Covid në Kosovë
Koordinatori i qendrës së vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, Niman Bardhi, ka thënë se sot në këtë qendër janë vaksinuar mbi 250 persona të moshës mbi 65 vjeçare duke përfshirë edhe një pjesë të personelit shëndetësor.
Në një konferencë për medie, ai ka bërë me dije se deri tani në nivel vendi janë vaksinuar mbi 51 mijë persona.
“Edhe sot është duke vazhduar vaksinimi në sallën ‘1 Tetori’ dhe të gjitha qendrat tjera në nivel vendi. Deri në këto momente janë vaksinuar mbi 250 persona, ndërsa nëse llogarisim shifrën totale rreth 1,430. E për pjesën e përgjithshme që nga fillimi i vaksinimit. Shifra totale është mbi 51 mijë vaksina të dhëna tashmë. Sa i përket vaksinimit të personave me moshën mbi 65 vjeç janë duke u vaksinuar edhe nga personeli shëndetësor dhe gjithçka është duke shkuar në rregull”, ka deklaruar ai.
Ai ka pranuar se problemet me aplikimin online ende janë evidente.
Sipas tij, është duke punuar që të krijojnë lehtësira në këtë drejtim.