Mbi 56 800 të vdekur e mbi një milion të infektuar në ShBA nga Covidi
Sipas të dhënave të faqes “Worldometers”, numri i viktimave nga Koronavirus në Shtetet e Bashkuara ka shkuar në 56 803, kurse numri i të infektuarve në 1 010 507.
Këto shifra u shënuan në kohën kur autoritetet amerikane po punojnë për ta rritur numrin e testimeve dhe disa shtete kanë filluar t’i largojnë masat e kufizimeve me qëllim të riaktivizimit të ekonomisë, shkruan “Daily Mail”.
Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me Covid-19 në mbarë botën është 3 milionë e 40 mijë, që do të thotë se të infektuarit në Shtetet e Bashkuara e përbëjnë një të tretën e të gjitha rasteve të konfirmuara deri më tani në planet.
Shtëpia e Bardhë të hënën publikoi udhëzimet të reja si kundërpërgjigje ndaj kritikave për zhvillimin e ngadalshëm të testimeve. Megjithatë, ekspertët shëndetësorë ende kishin dyshime nëse synimet e reja për numrin e testimeve janë të mjaftueshme.
Presidenti amerikan, Donald Trump, kishte deklaruar më 6 mars në Atlanta se kushdo që dëshiron të testohet për Covid-19, mund të testohet. Sidoqoftë, realiteti ka dalë të jetë krejt ndryshe.
Ndonëse shkalla e testimeve u rrit, ende kishte mungesë të furnizimeve me teste për shkak të mungesës së reagjentëve, transmeton Express.
Shtetet e Bashkuara janë bindshëm në vendin e parë në botë, si për numrin e viktimave, ashtu edhe për numrin e të infektuarve. Ato kanë pesë herë më shumë të infektuar se Spanja që është e dyta.