Mbi 57 mijë persona dhe rreth 10 mijë biznese në listë të zezë për mos kthim të kredisë
Mungesa e vendeve të punës dhe e perspektives në vend, ka bërë që numri i atyre që hyjnë në kredi të rritet, por është rritur edhe numri i kredimarrësve që hyjnë në listë të zezë për shkak të mos shtyrjes së borxheve ndaj bankave dhe institucioneve tjera në Kosovë. Por kategorizimi i një klienti në kategori përkatëse bëhet, varësisht prej ditëve sa është vonuara për shlyerjen e kredisë.
Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në Kosovë historikun e prishur kreditorë e kanë mbi 57 mijë persona dhe rreth 10 mijë biznese. “Numri i kredimarrësve që kanë historikun e kredisë jo të mirë që nënkupton kanë klasifikim B,C,D,E dhe W, bazuar në sistemin e RKK-së kap shifrën prej 57,179 kredimarrës fizik dhe 9,603 kredimarrës juridik ( biznese)”, ka thënë për “Telegraf”-in zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.
Ai ka treguar për mënyrën e klasifikimit të kredive. “Nga këto kredi aktive, me klasifikim A janë 413,934; me klasifikim B janë 4,335; me klasifikim C janë 2,384; me klasifikim E janë 9,645 kredi. Ndërsa me klasifikimin W që konsiderohen si kredi të shlyera figurojnë 40,798 kredi për sektorin bankar. Ndërsa kredi të likuiduara sipas të dhënave në sistemin e RKK-së figurojnë 644,596 kredi”, ka thënë Kada.
Në Bankën Qendrore të Kosovës, kanë shpjeguar se kur një kredimarrës hynë në listën e zezë. “Raportimi i kategorizimit të kredive realizohet sipas Rregullores për Menaxhimin e Rrezikut Kreditor. Sipas kësaj rregullore kreditë deri në 30 ditë vonesë konsiderohen të rregullta me klasifikimin A; kreditë me vonesa praj 31-60 ditë konsiderohen si kredi monitoruese me klasifikim B; kreditë me vonesa nga 61-90 ditë konsiderohen si kredi nën standard me klasifikimin C; kreditë me vonesa prej 91-180 ditë konsiderohen si kredi të dyshimta me klasifikimin D dhe kreditë me mbi 180 ditë vonesë konsiderohen si kredi të humbura me klasifikimin E”, ka deklaruar Kada.
Ndërkaq, njohësi i sektorit bankar, Milazim Abazi ka thënë për Telegrafin se bankat mund të lëshojnë edhe më shumë kredi, por duhet sundim i rendit dhe efikasitet i sistemit gjyqësorë. “Bankat kanë mjete të lira për të rritur kredinë edhe për rreth 900 milionë, marr parasysh se ekonomia e Kosovës dhe familjet kosovare kanë kërkesa në rritje për kredi të reja, nuk shoh asnjë pengesë që bankat gjatë këtij viti të kenë një rritje edhe më të madhe të kredive”, ka thënë Abazi.
Ndryshe vlera e kredive të sektorit bankar , prej shumë se 252 mijë persona dhe mbi 23 mijë biznese që janë në kredi, ka arritur në 2.48 miliardë euro, kurse vlera e depozitave ka arritur në 3.1 miliardë euro.