Mbi 6 mijë vizitorë gjatë qershorit qëndruan në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Statistikat e Hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e dytë(TM2) 2020.
Sipas ASK-së, në TM2 2020 pjesë e anketës ishin 199 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës.
“Për shkak të pandemisë, me vendim të Qeverisë së Kosovës, hotelet kanë qenë të mbyllura gjatë muajve prill dhe maj 2020. Andaj, të dhënat e publikuara në këtë tremujor paraqesin rezultatet vetëm të muajit qershor 2020, pasi hotelet kanë filluar të punojnë nga data 01 qershor 2020. Në TM2 2020, numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 6 831, prej tyre 47.96 për qind janë vendorë dhe 52.07 për qind janë të huaj. Ndërsa, numri i net-qëndrimeve ishte 10 466, prej tyre 48.45 për qind nga vendorët dhe 51.55 për qind nga të huajt. Numrin më të madh të vizitorëve dhe net-qëndrimeve të tyre e ka Rajoni i Prishtinës, me 2 439 vizitorë dhe 3 626 net-qëndrime”, është thënë në raportin e ASK-së, duke u shtuar se numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e kështu me radhë. “Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, etj”, thuhet në raport.