‘Mbi 60 për qind e popullsisë janë vaksinuar me dozën e parë, mbi 50 për qind me të dytën’
Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, ka vizituar të premten ekipet mobile të vaksinimit, të cilat për herë të parë kanë zhvilluar procesin e vaksinimit në terren, konkretisht në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Me këtë rast, ajo ka treguar se vaksinimi kundër Covidit në terren po bëhet nga ora 10:00 deri në orën 17:30.
“Sot u vaksinuan 60 qytetarë këtu, me dozën e parë të vaksinës”
“Kjo ecuri nuk do të ndalet, madje do të zgjerohet në qendra urbane, zona me frekuentim të lartë dhe zonat rurale”, ka thënë ajo, duke treguar përqindjen e vaksinimit në nivel vendi.
“Vaksinimi është mënyra më e lehtë për të kaluar pandeminë, është shumë e rëndësishme që të rinjtë të përfshihen në procesin e vaksinimit”.
“Tashmë kemi mbi 60 për qind të popullsisë të vaksinuar me dozën e parë, si dhe mbi 50 për qind të imunizuar me dy dozat”, ka thënë ajo.