Mbi 60 të vdekur nga reshjet dhe rrufeja në Pakistan
Rrufeja dhe reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar edhe 14 viktima në Pakistan, thanë të mërkurën zyrtarët, duke e çuar në të paktën 63 shifrën e përgjithshme të të vdekurve nga katër ditët me mot të lig. Vërshimet kanë shkaktuar disa viktima edhe në Afganistanin fqinj.
Në Pakistan, shumica e vdekjeve u raportuan në provincën Khyber Pakhtunkhwa, në veriperëndim të vendit. Nga shembja e ndërtesave janë mbytur 32 persona, përfshirë 15 fëmijë e pesë gra, tha Khursheew Anwar, zëdhënës i Autoritetit për Menaxhimin e Fatkeqësive. Ai shtoi se dhjetëra të tjerë janë lënduar në rajon, ku 1.370 shtëpi janë dëmtuar, raporton agjencia “Associated Press”.
Në provincën Punjab, në lindje të vendit, janë raportuar 21 viktima të ndërlidhura me rrufenë dhe shembjen e ndërtesave, ndërsa në Baluçistan, në jugperëndim, janë raportuar 10 të vdekur, ndërsa autoritetet e shpallën gjendjen e jashtëzakonshme pas vërshimeve.
Të mërkurën, Baluçistani po përgatitej për reshje të reja, përderisa po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Vërshimet prekën fshatra afër qytetit bregdetar, Gwadar.
Reshje të dendura shiu pati edhe në rajonin e kontestuar të Kashmirit. Autoritetet thanë se një valë e re shiu pritet të godasë shumë zona, përfshirë kryeqytetin Karaçi.
Zaheer Ahmed Babar, zyrtar i lartë në Departamentin e Meteorologjisë, tha se Pakistani po ballafaqohet me më shumë shi në prill për shkak të ndryshimeve klimatike.
“Këtë muaj, deri më tani ka pasur reshje shiu për 353 për qind më shumë se normalja në Baluçistan. Në përgjithësi, reshjet e shiut kanë qenë për 99 për qind më të larta se mesatarja në mbarë Pakistanin dhe kjo tregon se ndryshimi klimatik tashmë ka ndodhur në vendin tonë” – tha ai.
Më 2022, reshjet e dendura shkaktuan dalje të lumenjve nga shtretërit dhe një e treta e vendit u përfshi nga vërshimet. Një mijë e 739 persona e humbën jetën. Vërshimet gjithashtu shkaktuan dëme në vlerë të 30 miliardë dollarëve, nga të cilat Pakistani ende është duke u përpjekur që të rindërtohet.