Mbi 66 mijë ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë
Faqja e pavarur ruse e internetit “Mediazona”, në bashkëpunim me shërbimin rus të BBC, tha sot se kishte identifikuar më shumë se 66 000 ushtarë rusë të vrarë që nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt 2022.
Numërimi i tyre, i publikuar në një hetim të përbashkët dhe i finalizuar më 30 gusht 2024, vjen nga shfrytëzimi i informacioneve të caktuara, si njoftimet zyrtare për shtyp apo publikimet në media dhe rrjetet sociale si dhe nga vëzhgimi i varreve.
”Që nga 30 gushti, ne i dimë emrat e 66 471 ushtarëve rusë që vdiqën në luftë”, tha ”Mediazona” në një deklaratë në Telegram.
Në mesin e prillit, dy mediat thanë se kishin identifikuar më shumë se 50 000 ushtarë rusë të vrarë në Ukrainë që nga 24 shkurt 2022.
Të dyja mediat paralajmërojnë se numërimi i tyre nuk pretendon të jetë shterues.
Në fund të shkurtit, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky vlerësoi numrin e ushtarëve ukrainas të vrarë në 31 000, ndërsa ushtria ruse ka komunikuar humbjet e saj ushtarake vetëm në raste shumë të rralla dhe këto shifra konsiderohen kryesisht të minimizuara.
Në fillim të qershorit, i pyetur për këtë temë gjatë një takimi me agjencitë ndërkombëtare të shtypit, presidenti rus Vladimir Putin refuzoi të përcaktojë sasinë e humbjeve ruse në Ukrainë, duke deklaruar vetëm se ato ishin më të ulëta se humbjet e Ukrainës në raportin një me pesë.
Në gusht 2023, e përditshmja amerikane ”The New York Times”, duke cituar zyrtarë amerikanë, vlerësoi humbjet ushtarake ruse në 120 000 të vdekur.