Mbi 7 milionë euro janë ndarë për investime kapitale në Gjakovë
Ka nisur faza e dëgjimeve buxhetore në rajone të ndryshme të Komunës së Gjakovës. Kjo komunë ka bërë me dije se para qytetarëve do të prezantohet planifikimi i buxhetit komunal dhe projektet e planifikuara në zonat përkatëse.
Me pjesëmarrjen e drejtorit për Buxhet dhe Financa, Durim Halilaj, atij të Shërbimeve Publike, Shkumbin Kastrati dhe anëtarëve të Kuvendit Komunal, Haxhi Sejdija dhe Edmond Dushi, dëgjimet buxhetore fillimisht janë mbajtur në fshatin Ponoshec, konkretisht me banorët e Rekës së Keqe dhe në fshatin Sheremetaj, që përfshin Lugun e Caragojes.
Para banorëve në këto dy fshatra, drejtori Halilaj ka prezantuar buxhetin dhe projektet e planifikuara teksa ka bërë me dije se nga buxheti i përgjithshëm vetëm për investime kapitale janë ndarë mbi 7 milionë euro. Ai ka thënë se kjo shumë mund të rritet deri në 9 milionë në ditët në vazhdim falë rritjes së vazhdueshme të të hyrave vetjake.
Ndërsa banorët e Rekës së Keqe dhe të Lugut të Caragojes janë shprehur falënderues për projektet e realizuara deri me tani, derisa kanë paraqitur edhe kërkesa të reja për investime të ndryshme.
/Epoka e re/