Mbi 70 gra e vajza certifikohen nga Fondacioni “Sheikha Fatima” për rrobaqepësi, grim dhe pastiçeri
Më shumë se 70 gra dhe vajza janë certifikuar nga Fondacioni “Sheikha Fatima”, pasi kanë ndjekur me sukses trajnimin tremujor për rrobaqepësi, grim dhe pastiçeri, raporton Ekonomia Online.
Fondacioni u hap në prill të vitit 2024 me qëllim fuqizimin e grave dhe krijimin e mundësive për arsimim dhe zhvillim profesional.
Nga fillimi, kursin e kanë ndjekur 129 gra dhe vajza në profile të ndryshme, ndërsa për nxënëset e kurseve të kompjuterit dhe gjuhës angleze, certifikimet do të vazhdojnë në nivelet e dyta në tremujorin e ardhshëm.
Luljeta Morina, drejtore e e Fondacionit “Sheikha Fatima”, tha se secila prej tyre ka dëshmuar forcë për të ndjekur ëndrrat e saja për një të ardhme më të mirë.
“Jemi të lumtur dhe të nderuar që na keni bashkuar në këtë ditë të veçantë për të festuar përpjekjet dhe arritjet e kursanteve tona. Secila prej tyre ka dëshmuar aftësi, përkushtim, dhe forcë për të ndjekur ëndrrat e veta drejt një të ardhme më të mirë. Shprehim mirënjohje të thellë për shtetin dhe popullin e Emirateve të Bashkuara Arabe për përkrahjen e vazhdueshme për popullin e Kosovës. Falënderojmë donatorin tonë kryesor, Fondacionin ‘Khalifa bin Zayed AL Nahyan’ të cilet me mbështetjen e tyre bujare kanë bërë të mundur krijimin dhe funksionalizimin e këtyre kurseve si edhe krijimin e mundësive të reja për zhvillimin personal dhe profesional për shumë grave dhe vajza”, deklaroi Morina.
Mire Salihu, menaxhere e Fondacionit “Sheikha Fatima bint Mubarak per Gruan”, tha se që nga fillimi i trajnimit, 129 kursante i janë bashkuar këtyre kurseve, të cilat sipas saj kanë treguar “përkushtim, pasion dhe një dëshirë të jashtëzakonshme për të mësuar dhe për t’u zhvilluar”.
“Që nga data 16 shtator 2024, kemi filluar me pesë kurse profesionale: rrobaqepësi, pastiçeri, grim, kompjuter dhe gjuhë angleze. Gjatë kësaj periudhe, gjithsej 129 kursante i janë bashkuar këtyre kurseve, duke treguar përkushtim, pasion dhe një dëshirë të jashtëzakonshme për të mësuar dhe për t’u zhvilluar. Sot, kemi ardhur këtu për të festuar dhe për të certifikuar kursante e kurseve të grimit, rrobaqepësisë dhe pastiçerisë, të cilat kanë përfunduar me sukses trajnimin e tyre. Ndërsa për nxënëset e kurseve të kompjuterit dhe gjuhës angleze, certifikimet do të vazhdojnë ne nivelet e dyta. Dëshiroj të shpreh nje falënderim të veçantë për trajnerët tona të përkushtuara, të cilat me profesionalizëm dhe përkushtim të jashtëzakonshëm kanë qenë shtyllat kryesore të këtij suksesi”, u shpreh ajo.
Donator kryesor i këtij projekti është Fondacioni “Khalifa bin Zayed AL Nahyan”, me seli në Abu Dhabi.