Mbi 70 mjekë kanë lënë Kosovën për gjashtë muaj
Pacientët dhe familjarët e tyre çdo ditë janë duke u ballafaquar me korrupsion. Të njëjtit detyrohen të paguajnë nga xhepi për të pakta shërbime që marrin, ndërkohë që atyre janë duke i’u shkelur edhe e drejta për konfidencialitet. Para anëtarëve të Komisionit për Shëndetësi janë përmendur të gjitha të metat e sistemit shëndetësorë, ku një qytetar ka treguar edhe për përvojën jo të mirë që ka pasur. I njëjti ka thënë se pacientëve nuk u garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Bashkim Isari i cili ka përvojë të gjatë në fushën e të drejtave të njeriut ka treguar për përvojën e tij me një anëtar të familjes, i cili ka qenë i sëmurë me leukemi akute.
“Mund të konstatoj se mbrojta, mjekimi i pacientit dhe rehabilitimi i të sëmurëve me standarde në përputhje me etikën e mjekësisë nuk është në nivele të duhura në Kosovë, në asnjë institucion, veçmas në QKUK. Pacientëve nuk u garantohen të drejta të barabarta në ofrimin e shërbimeve mjekësore. Kemi shumë mangësi dhe lëshime për kujdes të shëndetit të njeriut. Mungojnë mekanizmat për mbrojtjen dhe sigurinë e të drejtave të pacientëve. Nuk informohen si duhet dhe sa duhet dhe nuk kanë përgjigje adekuate për shumë sëmundje”, ka rrëfyer ai në tryezën e rrumbullakët me temën “Të drejtat dhe siguria e pacientit” të organizuar nga Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.
Ai ka thënë se mungon edhe komunikimi në mes të pacientit dhe mjekut.
“Në godinën e Klinikës Interne, në hyrje i kemi pesë gardianë ose persona që merren me çështjen e sigurimit. Herë të lëshojnë, herë nuk të lëshojnë me byrek me kos. Ndërsa prapa ndërtesës është një hyrje tjetër ku shkruan ‘Rrezik për vizitorët’, mirëpo është krijuar një korridor nëpër të cilën kalojnë jo vetëm pacientët, por edhe familjarët e tyre. Unë edhe i kam fotografuar”, ka treguar ai, duke i lutur anëtarët e Komisionit për Shëndetësi të merren masa në këtë drejtim.
Më tutje, kryetarja e Komisioni për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka thënë se qëllimi i këtij takimi është që të gjithë ata që tash e sa vjet merren me sigurinë e pacientit të japin imputet e tyre në legjislacion.
“Siguria e pacientit është përkufizuar si parandalim i dëmtimit të pacientit. Theksi bie në atë që parandalon gabimet, mësohet nga gabimet që ndodhin dhe ndërtohet mbi një kulturë sigurie, që përfshihet profesionistët e kujdesit shëndetësor, strukturat shëndetësore dhe pacientin”, ka thënë ajo, shkruan “Ksp”.
Ndërsa kryetari i Shoqatës së Pacientëve, Besim Kodra, ka thënë se jo të gjithë pacientët gëzojnë të drejtën për masën preventive, madje Ligji për drejtat dhe përgjegjësisë e qytetarëve ka mbetur edhe në sirtarët e institucioneve. Kodra ka folur edhe për të drejtën e pacientit për konfidencialitet.
“Më shumë shkelet se sa respektohet. Kemi parë dje gjithë politikanët kanë shpërndarë fotografi nga Deçani, kanë paraqitur pacientë, fëmijë në klinika. Që është shkelje e privatësisë. Për mua më flagrante është shkelje e privatësisë kur në dhomat e ekzaminimit në radiologji vendosen kamera. Dhe kjo përkundër që Agjencia për privatësi ka konstatuar që është shkelje, dhe ende personi që ka vendosur aty punon lirshëm”, ka thënë Kodra.
Në anën tjetër, kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, ka folur edhe për numrin e madh të profesionistëve shëndetësorë që po dalin jashtë vendit.
“Problemi kryesor është të kushtet e punës që automatikisht ndikon në cilësinë e shërbimeve dhe në siguri. Kushtet e punës janë ato që mjekët po shkojnë jashtë. Shifrat e ditës së sotme janë 72 mjekë për gjashtë muaj. Kjo deri në fund të vitit do të jetë 150 mjekë”, është shprehur ai.
Kurse kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Arianit Jakupi, ka theksuar faktin se shumë pacientë nuk kanë qasje në barna.