Mbi 700 tifozë të Shkupit do të jenë në Prishtinë
Ndeshja mes Ballkanit dhe Shkupit e vlefshme për kalimin tutje në fazën e grupeve të UEFA Conference League, do të bëhet akoma më interesante me pjesëmarrjen e rreth 700 anëtarëve të tifo-grupit “Shvercerat”.
Njëri prej tifo-grupeve më të organizuara në rajon, “Shvercerat” do të jenë prezent në stadiumin “Fadil Vokrri” të enjten e 25 gushtit.
“Në Stadiumin “Fadil Vokrri”, do të ketë më shumë se 700 Shvercera. Shum tjerë do të udhëtojnë edhe me vetura private. Jam i sigurt që do të kalojmë mirë. Ne po shkojmë në vendin tonë dhe aty jemi në shtëpi”, ka thënë Jusuf Ramadani, kryetar i tifo-grupit.
Ndërkaq, klubi i Ballkanit pak minuta më parë ka njoftuar se kanë mbetur vetëm edhe 1 mijë bileta të lira për ndeshjen e nesërme.
Përballja mes skuadrave shqiptare do të jetë përcaktuese se cila nga to do të kualifikohet tutje, teksa favorit shihet Kampioni i Kosovës pasi ka epërsinë prej një goli nga ndeshja e parë.