Mbi 700 vjedhje për dy muaj në Kosovë
Gjatë vitit 2018, Policia e Kosovës ka evidentuar mbi pesë mijë raste të vjedhjeve, të cilat kanë ndodhur në pronat e qytetarëve, qofshin ato në shtëpi banimi, dyqane apo vetura.
Derisa, vetëm në dymujorin e parë të këtij viti janë evidentuar mbi 700 raste të vjedhjeve.
Rajonet ku kanë ndodhur këto raste të vjedhjeve, sipas Policisë Kosovës, më shumë janë qendrat më të mëdha, derisa si qytet, dukshëm më shumë raste kanë ndodhur në Prishtinë.
Policia e Kosovës gjatë vitit 2018, nën dyshimin për përfshirje në veprimtari të ndaluara, ka arrestuar 15, 481 të dyshuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se rastet e vjedhjeve kanë shënuar rënie përgjatë viteve, megjithatë mbetet shqetësuese si dukuri.
Hoxha ka theksuar se Policia e Kosovë ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme, duke përfshirë edhe sjelljen e kryesve të këtyre akteve të vjedhjes para organeve të drejtësisë.
“Në Kosovë, sikundër edhe në vendet tjera, ndodhin akte të ndryshme, kryhen aktivitete të ndryshme penale. Kështu gjatë vitit 2018 janë evidentuar mbi pesë mijë vjedhje. Derisa për këtë vit, duke ju referuar të dhënave në sistemin informativ të Policisë për dymujorin e parë në nivel të Kosovës janë: evidentuar 724 vjedhje të kryera, 74 në tentativë. Këto akte, nuk është e mundur të zhduken, nuk ka asnjë vend në jetën bashkëkohore që ka eliminuar në tërësi kriminalitetin. Policia e Kosovës me aktivitetet e saja synon reduktimin e secilës nga këto veprimtari të paligjshme. Krahasuar periudhën e viteve 2013-2015 me trevjeçarin 2016-2018, vjedhjet kanë shënuar ulje për 21 për qind”, ka thënë Hoxha.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni në këtë link: https://www.evropaelire.org/a/mbi-700-vjedhje-per-dy-muaj-ne-kosove-/29852502.html.