Mbi 722 mijë euro ndihmë nga diaspora gjatë pandemisë Covid-19
Ndihma që mërgimtarët e japin për shtetin e Kosovës ishte e pashmangshme edhe gjatë pandemisë Covid- 19.
Mbi 722 mijë euro janë grumbulluar nga ndihmat e ardhura nga diaspora gjatë kësaj kohe. Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, përmes një përgjigjeje me shkrim, drejtori i përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili.
“Totali i pranimeve në nën-llogarinë e dedikuar të Thesarit deri tani është 722,164.66 euro, ndërsa gjendja e kësaj nën-llogarie është 716,773.93 euro”, thuhet në përgjigje.
Ndihma nga diaspora ka ardhur pas thirrjes që u ka bërë mërgimtarëve ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 12 prill të këtij viti.
Një muaj pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, Kurti, përmes një video-mesazhi, ka kërkuar nga mërgimtarët që ta ndihmojnë qeverinë me mjete financiare, për ta luftuar sëmundjen.
Më 22 maj, Albin Kurti, derisa ishte kryeministër në detyrë i Kosovës, ka bërë të ditur se janë mbledhur 720 mijë euro nga mbështetja financiare e diasporës për luftimin e COVID-19.
Për më shumë se dy javë prej asaj kohe, nga mërgimtarët janë dërguar edhe mbi 2 mijë euro të tjera.
“Në këtë nën-llogari do të vazhdojnë të pranohen mjetet që dedikohen për qëllimin e hapur, deri në një vendim tjetër”, ka thënë Ismaili.
Ministrja e Financave dhe Transfereve në Qeverinë e re të Kosovës, Hykmete Bajrami, nuk ka dhënë ndonjë koment se deri kur do të jetë funksional ky fond.
Radio Evropa e Lirë ka tentuar të flasë edhe me ish-udhëheqësin e këtij dikasteri Besnik Bislimi, por i njëjti ka qenë i paqasshëm.
Pas shpërthimit të pandemisë COVID-19 në mars të këtij viti, Qeveria e kaluar e Kosovës, kishte ndarë rreth 200 milionë euro për të ndihmuar bizneset e goditura si pasojë e koronavirusit.
Gjatë muajit prill, Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Albin Kurti, kishte miratuar një pako emergjente në vlerë prej 179 milionë euro.
Kurse në fillim të muajit qershor kishte ndarë edhe 12 milionë euro për Pakon Emergjente Fiskale./ REL