Mbi 740 mijë euro, Kosova merr si donacion pajisje për trajtimin e pacientëve me Covid
Community Development Fund ka bërë dorëzimin e pjesës së parë të furnizimit nga donacioni me vlerë 742 mijë e 518 euro për vitin 2021/22, në mbështetje të institucioneve shëndetësore, për zbatimin e Planit kombëtar për luftimin e Covid-19.
Ky donacion vjen në kuadër të aktiviteteve të granteve për HIV dhe TB të financuara nga Fondi Global (FG) që lufton AIDS, TB dhe Malarien, përmes fondeve specifike të FG nga mekanizmi për reagim ndaj Covid-19, ndërsa programet e Fondit Global në Kosovë: “Fuqizimi i parandalimit të HIV në Kosovë” dhe “Fuqizimi i kontrollit të TB në Kosovë”, kanë filluar zbatimin në vitin 2006 (TB) dhe 2008 (HIV) në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë kanë bërë me dije se në pranimin e donacionit, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, ka thënë se ky donacioni tregon se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi me partnerët dhe se kontingjenti i ri me pajisje të dhuruara do të ndihmojë akoma më shumë në forcimin e kapaciteteve për të ofruar kujdesin më të mirë për pacientët e prekur nga Covid-19 dhe për të luftuar këtë virus.
“Ne do të vazhdojmë të ruajmë dhe ndërtojmë marrëdhëniet tona për të forcuar dhe transformuar më tej sistemin shëndetësor të Kosovës”, citohet të këtë thënë Latifi.