Mbi 80 të arrestuar në Spanjë për kurdisje të ndeshjeve në tenis
Zyrtarët e zbatimit të ligjit në Spanjë arrestuan 28 lojtarë profesionistë të tenisit, në kuadër të disa hetimeve për kurdisje të ndeshjeve.
Agjencia e policisë e Bashkimit Evropian (Europol), ka bërë me dije se lojtarët janë në mesin e 83 njerëzve të arrestuar nga Garda Civile e Spanjës.
“Të dyshuarit i korruptuan lojtarët profesionistë për të garantuar rezultate të paracaktuara”, ka theksuar Europoli, sipas të cilit, së paku 97 ndeshje janë kurdisur.
Europoli po ashtu ka theksuar se ka kryer bastisje në 11 shtëpi në Spanjë, në të cilat janë konfiskuar 167,000 euro, 50 pajisje elektronike, karta krediti, pesë automjete luksoze dhe dokumentacion lidhur me rastin.
Dyzetedy llogari bankare gjithashtu janë ngrirë.
Asnjë nga personat e arrestuar nuk është identifikuar.