Mbi 800 armë janë në procedurë të legalizimit
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në bashkëpunim me UNDP-në kanë diskutuar mbi kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta (AVL) dhe reduktimin e armëve të paligjshme në Kosovë.
Zëvendësministri i MPB-së dhe koordinatori kombëtar për kontrollin e AVL-ve, Izmi Zeka, derisa ka bërë thirrje te qytetarët që t’i dorëzojnë armët ilegale, ka treguar se deri tani ka pasur numër të vogël të legalizimit të armëve.
Zeka duke e parë si shqetësuese këtë gjendje ka treguar se vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur kanë qenë me armë pa leje.
“MPB-ja që nga dhjetori i vitit të kaluar ka hapur afatin kohorë për legalizimin e armëve. Në këtë drejtim janë shpërndarë edhe broshura për legalizimin e armëve. I ftojë qytetarët për legalizim të armëve. Është një numër i vogël i legalizimit të armëve. Për gjashtë muaj, i kemi mbi 800 armë në procedurë. Nëse një armë legalizohet kemi shpëtuar një jetë. Armët pa leje paraqesin rrezik për shoqërinë, vitin e kaluar 20 raste të vrasjeve që kanë ndodhur kanë qenë armë pa leje. Armët ilegale janë potencial për të eksploduar çdo moment. Duhet të hulumtojmë rrugë që asnjë armë në Kosovës të mos jetë ilegale”, ka thënë Zeka.
Ndërsa, përfaqësuesja e përhershme nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë, Alessandra Roccasalvo, ka thënë se e gjithë kjo po bëhet për legalizimin e armëve është për një Kosovë të sigurt.
“Kemi bërë fushata në këtë kohë se ku qëndrojmë në këtë aspekt dhe kjo ka të bëjë edhe me përpjekjet për ta bërë shoqërinë më të sigurt. Ne sot do të dëgjojmë se ku qëndrojmë në këtë aspekt dhe çfarë bëjnë institucionet drejt saj”, ka thënë ajo.
Në anën tjetër, drejtori i Divizionit për Siguri Publike në Policinë e Kosovës, Gazmend Hoxha, ka thënë se sfidë për policinë në luftimin efikas të trafikimit me armë dhe krimeve që ndërlidhën me armët mbetet mosanëtarësimi i policisë në mekanizma ndërkombëtar siç është Interpoli dhe Europoli.
“Policia e Kosovës i ka dhënë prioritetin e duhur luftës kundër krimeve që lidhën me armët dhe deri tani ka ngritur kapacitetet e nevojshme duke krijuar njësi të veçanta. Kemi investuar në trajnimin e stafit në këtë drejtim. Sfidë për Policinë e Kosovës në luftimin efikas të trafikimit me armë dhe krimeve që ndërlidhën me armët mbetet mosanëtarësimi i policisë në mekanizma ndërkombëtar siç është Interpoli dhe Europoli”, ka thënë Hoxha.
Kurse, Besnik Sallahu, udhëheqës i ILECU-së në Policinë e Kosovës, ka thënë se në Kosovë janë rreth 260 mijë armë ilegale.
“Ky hulumtim është bërë në vitin 2014, dhe nëse kësaj i shtojmë aktivitetin e Policisë për konfiskimin e armëve pa leje, besojmë se ky numër ka rënë dukshëm. Policia e Kosovës çdo vit konfiskon rreth 1300 armë pa leje. Vepra më e ndjeshme e kryer me armë është vrasja”, ka thënë Sallahu.