Mbi 90 për qind e pacientëve në Infektivë janë të pavaksinuar
Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka deklaruar se mbi 99 për qind e pacientëve në Kosovë janë të infektuar me variantin Delta.
Arben Vishaj ka deklaruar se momentalisht në klinikën që ai e drejton janë duke u trajtuar 107 pacientë, prej të cilëve 12 janë në mjekim intensiv dhe pesë të intubuar.
“Nga vaksinimi që është duke u bërë jemi të bindur që sfidat do të jenë më të vogla. Duket që koronavirusi do të jetë një sfidë shumë e rëndë. Delta përhapet shumë më shpejtë dhe zhvillon një formë klinike më të rëndë. Në Klinikën Infektive pacientë të vaksinuar plotësisht janë zakonisht 2-3 për qind, ndërkaq pothuajse mbi 90 për qind e pacientëve janë të pavaksinuar. Me vaksinim më të madh do të ketë më pak pacientë. Për momentin ka vende të mjaftueshme të shtretërve dhe shpresojmë që këtë javë shifrat do të zvogëlohen edhe më shumë”, ka thënë ai në KTV.
Vishaj ka thënë se falë një numri më të madh të infermierëve të rinj janë stabilizuar.
Ai ka thënë se kanë pasur pacientë të vaksinuar pothuajse me të gjitha vaksinat, porse të njëjtit e kanë kaluar më lehtë virusin.