Mbi 94 për qind e investitorëve të huaj që ishin në Kosovë, kanë ikur
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka realizuar një studim hulumtues në Kosovë në lidhje me investitorët e huaj.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, ka thënë se një studim i tillë është zhvilluar për herë të parë në Kosovë.
Ai ka theksuar se AKB-ja është e kënaqur që ka arritur ta realizojë këtë projekt me sukses. Pavarësisht kësaj, Shahini ka thënë se është i shqetësuar me të gjeturat e këtij studimi hulumtues.
“Nga viti në vit ka pasur përmirësime të dukshme në politika fiskale por jo të mjaftueshme. Kjo më së miri dëshmohet në të gjeturat e këtij studimi për të cilat investitorët kanë paraqitur vërejtjet e tyre në aspekt legjislativ dhe jolegjislativ. Vitin e kaluar nga të gjithë ata që kanë ardhur për të vizituar Kosovën për mundësi të investimeve vetëm 2 për qind kanë mbetur këtu, 4 për qind janë duke e shqyrtuar mundësinë për të ikur, kurse 94 për qind janë deklaruar se nuk vijnë në Kosovë apo kanë gjetur mundësi më të mira në vendet tjera”, ka deklaruar kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
/Epoka e re/