Mbi emigracionin dhe rolin e tij në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës
Shkruan: Mr. Faton Gërbeshi
1. Hyrje e përgjithshme për migrimin
Në përgjithësi shoqëria njerëzore, është zhvilluar dhe ka populluar të gjithë globin tokësor nëpërmjet migrimeve. Termi migrim vjen nga latinishtja, prej fjalës migratio, që në shqip përkthehet shpërngulje. Pra, migrim do të quajmë çdo ndërrim të vendbanimit të personave ose grupeve të mëdha apo të vogla të njerëzve.
Dallojmë dy lloje të migrimeve: 1. Emigrimi – paraqet shkuarjen e popullsisë nga një vend i caktuar jashtë shtetit; 2. Imigrimi – është ardhja e popullsisë në një vend të caktuar brenda shtetit.
Shkaqet e migrimeve mund të jenë: a) natyrorë – epidemitë, shkaqe atmosferike, katastrofa të ndryshme; b) shoqërore- luftërat, destabilizimi politik, urrejtja fetare; c) ekonomike – uria, varfëria, lakmia për jetë më lumtur. Nisur nga kjo pamje, mund të themi se migrimet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë intensive në gjithë botën, ashtu edhe për shqiptarët e në veçanti për shqiptarët në trojet e pushtuara nga serbët e jugosllavët në tërësi, në këtë rrjedhë edhe në Kosovë. Në Kosovë ka qenë intensiv përgjithësisht fenomeni i emigrimit, pasi edhe varfëria ka qenë më e thellë, si dhe rezistenca ndaj pushtuesit ka qenë më dinamike. Mjetet financiare, të mërgimtarëve, kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë ndikim në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, zvogëlimin e varfërisë, rritjen e mundësive të shkollimit dhe të kujdesit shëndetësor, rritjen e konsumit, etj.
2. E drejta për migrim dhe gjendja e legjislacionit
Sipas Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, shprehur në standardet: E drejta migratore ndërkombëtare, në Fjalorthin e terminologjisë migratore: një person është emigrant, nëse ka lënë vendin e lindjes dhe është vendosur përgjithmonë në një shtet tjetër. Por gjithnjë për persona të tillë që janë bërë pjesë e migracionit, organet ndërkombëtare kanë ndërtuar ligje, nëpërmjet të cilëve është ligjësuar e drejta për migrimin. Një nga këto ligje është “Konventë Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të të Gjithë Punëtorëve Migrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të tyre”, Miratuar nëpërmjet rezolutës së asamblesë së përgjithshme 45/158 të datës 18 dhjetor 1990. Në këtë konventë shtetet palë mbështetur në parimet për të drejtat e njeriut, mbi të cilat mbështeten Kombet e Bashkuara, si dhe parimet e standardet ndërkombëtare në lidhje me migrimin, e parime të tjera të pranuara për mbrojtjen e njeriut, qoftë në fushën e arsimit, kundër diskriminimit, kundër torturës, kundër poshtërimit, kundër skllavërisë, me qëllim mbrojtjen e 2 “interesave të punëtorëve, kur punësohen në një vend tjetër nga vendi i tyre dhe duke mos harruar ekspertizën dhe përvojën e asaj organizate për çështjet në lidhje me punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre”. Po kështu, duke vlerësuar punën e madhe të migrantëve dhe krijimin e kushteve të nevojshme jetësore, shëndetësore, si dhe duke e konsideruar fenomenin e migrimit si një proces “që përfshin miliona njerëz dhe prek një numër të madh shtetesh në komunitetin ndërkombëtar”, natyrisht që edhe ne do të jemi pjesë e këtij fenomeni. Theksojmë se në të drejtat e migrantëve është kërkuar dhe kërkohet që të zbatohen të gjitha instrumentet ndërkombëtare në lidhje me të drejtat e njeriut, të cilat marrin përsipër të respektojnë dhe garantojnë për të gjithë punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, brenda territorit ose objekt i juridiksionit të tyre, të drejtat e parashikuara “… pa dallim gjinie, race, ngjyre, gjuhe, feje, besimi, bindjesh politike ose të tjera, origjine kombëtare, etnike apo shoqërore, shtetësie, moshe, gjendjeje ekonomike, pasurie, gjendjeje civile, status lindjeje apo tjetër”. Dhe të gjitha këto kanë vlerë për të mundësuar që asnjë qytetar i kësaj bote të mos jetë i detyruar t’i nënshtrohet trajtimit poshtërues, të mos i nënshtrohet trajtimit skllavërues dhe detyrues për të bërë punë jashtë kornizave të pranuara ligjore, duke bërë që çdo migrant të trajtohet në mënyrë të barabartë me shtetasit e shtetit në të cilin ka migruar dhe dëshiron të ndërtojë jetë e tij dhe të familjes së tij. Prandaj edhe pranohet ligjërisht se: “Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë. Kjo e drejtë përfshin lirinë për të pasur një fe ose besim të zgjedhjes së tyre dhe lirinë që individualisht ose së bashku me të tjerët dhe privatisht ose në publik, të manifestojnë fenë ose besimin e tyre në shërbime fetare, zakone, praktikë dhe mësimdhënie”. Ky fakt i bën ata të barabartë në çdo komunitet të shtetit përkatës, natyrisht duke kërkuar njëkohësisht të zbatohen me rreptësi të gjitha ligjet që favorizojnë a detyrojnë shtetasit e atij shteti që migantët kanë zgjedhur për të punuar e jetuar. Ashtu sikurse saktësohet se ata janë nën mbrojtjen dhe ndëshkimin e ligjeve të atij shteti. Ajo që është me rëndësi për temën që po trajtojmë ne, është e drejta ndërkombëtare e migrantëve për të transferuar të ardhurat e mbledhura, në rastin tonë për të Kosovë. Për këtë thuhet: “Me përfundimin e qëndrimit të tyre në shtetin e punësimit, punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre kanë të drejtën e transferimit të të ardhurave dhe kursimeve të tyre dhe në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm në shtetet përkatës, edhe sendet dhe objektet e tyre personale”. Duke u dhënë të drejtën të sjellin të ardhurat në Kosovë, kjo e drejtë nuk u jepet vetëm për të sjellë të ardhura financiare për familjet e tyre, por duke krijuar mundësi financimi, që ndikon në zhvillimin e vendit dhe në punësimin e punëtorëve të tjerë në vendin tonë. Për këtë thuhet qartë: “Punëtorët migrantë dhe anëtarët e familjeve të tyre, në pajtim me legjislacionin e zbatueshëm të shteteve përkatëse, si dhe të marrëveshjeve përkatëse ndërkombëtare dhe detyrimeve të shteteve të interesuara që rrjedhin nga pjesëmarrja e tyre në bashkime doganore, gëzojnë përjashtim nga taksat e import eksportit dhe taksat në lidhje me sendet e tyre personale dhe shtëpiake, si dhe pajisjet e nevojshme për t’u përfshirë në aktivitetin fitimprurës për të cilën ata janë pranuar në shtetin e punësimit: a) 3 me largimin nga shteti i origjinës ose nga shteti i vendqëndrimit fiks; b) me pranimin fillestar në shtetin e punësimit; c) me largimin përfundimtar nga shteti i punësimit; d) me kthimin përfundimtar në shtetin e origjinës ose shtetin e vendqëndrimit fiks”. Kthimi në shtetin e origjinës, ka vlera për kushtet tona, pasi duke qenë në një nivel jo të kënaqshëm të zhvillimit ekonomik, ky proces i kthimit na sjellë rritje ekonomike në pikëpamje të ekonomisë familjare dhe të investimit për të fuqizuar në tërësi ekonominë e vendit. “Migracionet janë më shumë se kurrë në zemër të debateve të mëdha të shoqërisë së shekullit 21, pasi problemet që ata shkaktojnë përcaktojnë të ardhmen e Europës dhe të botës mbarë”. Dhe procesi është dinamik, jo vetëm për shqiptarët a qytetarët e Kosovës, por të gjithë qytetarëve të Europës e botës. Për të marrë në analizë një ligj të veçantë, që të krijohet një ide e plotë për të gjitha ligjet ndërkombëtare, le t’i referohemi Konventës së Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, ku do të vërejmë se: “Kjo konventë, e trajtuar në shumë tekste dhe monografi të së drejtës…, veç të drejtave dhe lirive të tjera, garanton në fushën e migracionit disa të drejta dhe liri në mënyrë të posaçme, si ato të parashikuara në protokollin 4, në nenet: 2 “Liria e lëvizjes”, 3 “Ndalimi i dëbimit të shtetasve” apo 4 “Ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve””. E kështu mund të marrim në evidencë një seri ligjesh që rregullojnë jetën dhe punën e të ardhmen e migrantëve.
3. Emigrimi – lëvizja më masive e njerëzve
Emigrimi është një fenomen, që për kushtet tona, sipas rëndësisë, arsyet që detyrojnë shqiptarët të emigrojnë jashtë vendit renditen si vijon: paga më të larta, mbështetja financiare e familjes, kushte më të mira pune, kushte më të mira jetese, kushte më të mira arsimimi për vete apo për pjesëtarët e tjerë të familjes, si edhe në periudha të caktuara për shkak të sigurisë dhe rendit në vend. Vendet në të cilat shtetasit shqiptarë parapëlqejnë të emigrojnë ndahen sipas disa faktorëve, si p.sh., lehtësia për të gjetur punë, afërsia gjeografike, lehtësia e hyrjes në vendin pritës, të afërm që jetojnë në vendet ku ata emigrojnë, njohja me mundësitë për arsimim dhe përmirësimi i aftësive profesionale, mundësia për të punuar në profesionin e tyre dhe paga më të mira ne krahasim me vende te tjera. Përpjekjet diplomatike të shtetit gjithashtu duhet të jenë të angazhuar maksimalisht për të mbrojtur të drejtat e emigrantëve, pasi gjendja e tyre jashtë vendit varet natyrisht nga ligji dhe politika, si edhe nga vullneti i mirë politik i vendeve pritëse për të mbështetur këto të drejta. Por qenia pranë tyre e shteti të vendit të origjinës i bën ata të jenë më të qëndrueshëm dhe më të vlerësuar. Pasi megjithëse ka një legjislacion të pasur ndërkombëtar, jo në çdo shtet gjen zbatim të plotë sipas standardeve të kohës. Kështu për shembull, ne dimë se standardet e legjislacionit të Bashkimit Europian lidhur me të drejtat e shtetasve të vendeve të treta të pranishëm në shtetet anëtare të BE janë mjaft të larta dhe janë duke u përmirësuar me zhvillimet e politikës së përbashkët për emigracionin. Por problemi është të sigurohet zbatimi i tyre i efektshëm dhe të luftohet diskriminimi ndaj shtetasve të vendeve të treta, siç janë edhe shqiptarët, të cilët në disa shtete trajtohen mjaft keq, gjë që tregon se vërtetë ligji ka një standard, 4 por politika dhe terreni kanë dy standarde, ligji ka të drejtën, por praktika ka të padrejtën, të keqen dhe anti-humanen.
4. Migrimet në Kosovë
Migrimi në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare nën Jugosllavi, ka qenë një lëvizje masive shqiptaro – serbe. Në veprën e tij “Studime demografike – 100 vjet të zhvillimit demografik të Kosovës”, autori Hivzi Islami, do të shkruaj: “Të dhënat autentike nuk tumirnin asnjë tezë serbo-jugosllave të shpërnguljes së serbo-malazezëve nën presion të shqiptarëve. Evidencat autentike për të shpërngulurit, sikurse edhe për të ardhurit flisnin për motive krejt tjera nga ato që i theksonte politika e ditës dhe mjetet e komunikimit. Të shtyrë nga pushteti serbo-jugosllav, Qeveria e atëhershme e Kosovës, që njihej si Këshill Ekzekutiv i Kuvendit të KSA të Kosovës, mori vendim që përmes Sekretariatit të Punëve të Brendshme dhe Entit të Statistikës të Kosovës, si dhe shërbimeve të lajmërimit e të çlajmërimit të sekretariateve komunale të punëve të brendshme, prej 1.6.1983 në Kosovë në mënyrë të organizuar të përcilleshin shkuarjet e njerëzve nga Kosova në viset e tjera të ish-Jugosllavisë dhe ardhjet e tyre në Kosovë”. Çka është një tregues i qartë i tendencës serbe për kolonizimin e Kosovës, duke ia ndryshuar raportin demografik në interes të serbëve e malazezëve. Ky është një tregues për t’u vlerësuar, se në kohët e para çlirimit në Kosovë migrimi nuk ishte thjeshtë për arsye ekonomike, siç flitet me të madhe sot, por ishte një shpërngulje sistematike me qëllim të tjetërsimit kombëtar të Kosovës. Po të lexojmë më tej, do të shikojmë se: “Një gjë që dihej në kuadër të rrjedhave të përgjithshme politike e shoqërore ishte fakti se njerëzit frikësoheshin nga ekstremizmi serb dhe populizmi nacionalist i regjimit të Millosheviqit”. Shënim ky që me të drejtë do të sillte revoltën e popullit shqiptar në tentativë për shfarosje, i cili do të krijonte Ushtrinë e tij për ta çliruar përfundimisht nga pushtimi e kolonizimi serb. Do të ishte ky momenti kulmor kombëtar, kur shqiptarët treguan se atdheu e kombi është mbi gjithçka dhe se për të jetuar të lirë, ishin të gatshëm të bënin sakrifica deri në vetëmohim. Migrimet si përcjellës permanent në evolucionin e njerëzimit dhe, lidhur me to, krijimi i diasporave, lanë gjurmë të rëndësishme në jetën e popujve, të grupeve të ndryshme të popullsisë, të familjeve dhe të individëve. Shqiptarët në periudhat e hershme historike kishin një shtrirje të gjerë gjeografike dhe gjatë kohë jetuan në një truall territorialisht të pakëputur. Mirëpo, më vonë, rrjedhat e pavolitshme historiko-politike dhe rrethanat e rënda ekonomiko-sociale ndikuan që të rrudhej si hapësira e dikurshme etnikogjeografike, ashtu edhe vëllimi demografik në territorin kompakt etnik të tyre. Por, dihet se ka edhe sot migrim, ka edhe sot largime të vijueshme të qytetarëve. por ky largim, sado që është i dhimbshëm, nuk duhet konsideruar asimilues, sepse realisht qytetarët që po shkojnë, po krijojnë të ardhura për familjet e tyre në Kosovë. Dikush mund të thotë, se do të ishte më mirë që këto të ardhura të krijoheshin në Kosovë, jo duke bërë punët nëpër vendet e tjera për t’i zhvilluar ato. Edhe unë jam dakord. Por kur nuk e kemi atë mundësi, për hatër të qëndrimit në Kosovë, a duhet qëndruar në varfëri? Unë them jo. Le ta kërkojmë 5 rritjen e mirëqenies, qoftë edhe jashtë Kosovës, por të sjellim të ardhura në Kosovë e ta zhvillojmë atë. Unë e shoh me optimizëm të ardhmen, duke parë se e nesërmja do t’i sjellë në Kosovë të gjithë ata që kanë dëshirë ta zhvillojnë atë. Kurse ata që nuk duan ta zhvillojnë, si të jenë në Kosovë, si të jenë jashtë saj, nuk e ndryshojnë gjendjen. Por ne nuk guxojmë ë harrojmë, se këtë vend e kemi tokë mbi të cilën pesë herë sa jemi sot, janë zhdukur për të mos qenë më kurrë, me të gjitha format e masakrimit, por mbi të gjitha ka dominuar shpërngulja. “Aksioni i mbledhjes së armëve me arsyetim se kinse shqiptarët kanë ngritur krye dhe po përgatiteshin për kryengritje të armatosur dhe bashkim me Shqipërinë, ishte në të vërtetë i menduar si pretekst për ndjekjen dhe shpërnguljen e tyre në Turqi. Në këtë periudhë edhe shpifeshin akuza të ndryshme ndaj shqiptarëve, madje edhe inskenoheshin organizata sekrete politike “irredentiste” e “shqiptaromëdha””. E kjo praktikë u zbatua me dhjetëra vite, për gati një shekull, por ja që shqiptarët mbijetuan. E ashtu edhe treguan se tokën e tyre e kanë të shenjtë. Vetëm po të marrim faktin që në Luftën Çlirimtare të Kosovës, luftuan djem a vajza që kanë lindur në mërgatë, që nuk kanë qenë kurrë në Kosovë, por erdhën në luftë për vendin e tyre. Këta jemi ne. Këta dje, këta sot e këta edhe nesër. Kështu që unë nuk dyshoj fare se mërgata jonë është pjesë jo vetëm e historisë së shkuar të Kosovës, por edhe e historisë së nesërme e të ardhshme.
5. Trendet zhvillimore në Kosovë
Shumë fjalë, shumë ide, shumë mendime për zhvillimin e Kosovës, por pak punë dhe shumë pak zbërthim e ndërtim projektesh, planifikim sipërfaqësor dhe pak ambicie të qëndrueshme, për të bërë atë që është në interes të së ardhmes. Prandaj identifikimi dhe rreshtimi i synimeve dhe objektivave të zhvillimit ekonomik më të rëndësishëm “për të pasur një pasqyrë të qartë të progresit të shënuar në nivel shtetëror në lidhje me çështjet kyçe… do të na japë një hapësirë për të parë e përcaktuar më saktë cilët janë trendet zhvillimore në Kosovë. Është me interes të dimë se çfarë drejtimesh duhet të jenë parësore në zhvillimin ekonomik të vendit, për të ndërmarrë hapat e nevojshëm për sendërtimin e punës për jetësimin e tyre. Sot në Kosovë ka zhvillim. Por a është ky zhvillimi që ne dëshirojmë? A jemi në atë rrugë nga duhet të shkojmë? A kemi përcaktuar një perspektivë të të ardhmes ku synojmë të arrijmë? A e njohim ne Kosovën e pas një shekulli? Mendoj që këto pyetje kërkojnë përgjigje nga specialistët, të cilët e kanë për detyrë të shtrojnë drejt para politikës së kohës nevojën dhe rrugën zhvillimore të vendit. Por që kërkohet me shumë ndjenjë përgjegjësie, edhe politikanët që qeverisin vendin të dëgjojnë zërin e specialistëve dhe të respektojnë mendimin e tyre, ose thënë më saktë t’i vende specialistët në punë, që t’u tregojnë çfarë duhet bërë, për ta bërë Kosovën me të ardhme të sigurt. Në kushtet e Kosovës theksohet se tregues kryesor të zhvillimit konsiderohen: a. Elementët social si – Barazia, Shëndetësia, Arsimi, Banimi, Siguria, Popullsia, Benefitet sociale dhe Migrimi; b. Elementët mjedisor si – Atmosfera, Toka, Uji i pastër dhe Bio-diversitet; c. Elementët ekonomik si – Buxheti, Struktura 6 ekonomike, Trendet e konsumit dhe prodhimit, Punësimi, Ndërmarrësia, Detyrimet dhe tatimet, Energjia etj. Nisur nga kjo pasqyrë, shihet qartë se cilat janë punët që duhet të bëjmë dhe cilët janë trendet mbi të cilët duhet të ecë zhvillimi i Kosovës. Dhe ky nuk është një zbulim, por një praktikë orientuese e shpallur botërisht, pasi është në “përputhje me rezultatet kryesore të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Mjedis dhe Zhvillim të mbajtur më 1992, ku u përcaktua që temat e zhvillimit të qëndrueshëm, do të mund të ishin mjeti strategjik për të ndihmuar qeveritë dhe shtetet që të angazhohen në vendimmarrje të informuar në sektorë të ndryshëm të politikë-bërjes, me fokus të posaçëm tek promovimi i zhvillimit të qëndrueshëm”. Prandaj, do të ishte me vlerë që pikërisht këto kërkesa t’i kemi në themel të zhvillimit të vendit. Pikërisht mbi këto kërkesa ta orientojmë edhe fuqinë financiare të emigrantëve, si një kapacitet, që po të trajtohet me dashamirësi dhe seriozitet ka mundësi të bëjë ndryshime të mëdha zhvillimore, për ta sjellë Kosovën në nivelet ku dëshiron dhe ku ka nevojë të jetë, për t’i bërë qytetarët e saj më të lumtur dhe shtetin më të dinjitetshëm.
6. Roli i emigracionit në zhvillimin e ekonomisë së Kosovës
“Lidhja mes migrimit dhe zhvillimit i shkrin akujt mes shteteve pritës dhe atyre të origjinës, por duke e kthyer migrimin në një mjet për pasurimin dhe zhvillimin e vendit të origjinës, kësisoj dekurajohet emigracioni, pasi njerëzve u krijohet mundësia të punojnë në shtetin e origjinës”. Por që të arrihet kjo, duhet të dërgohen fondeve financiare të fituara prej emigrantëve drejt shtetit të origjinës, pra drejtë Kosovës, për t’i investuar; duhet të nxitet roli i diasporës në Kosovë, që ata ta kuptojnë vlerën që ka puna e tyre si për zhvillimin e vendit ashtu edhe për fitimet e tyre personale e familjare; duhet gjithashtu të forcohen marrëdhëniet me emigracionin, të komunikohet me ta dhe të kërkohet prej të gjitha institucioneve qeverisëse në gjithë hierarkinë e shtetit që të punohet me ndjenjë përgjegjësie për ta bërë sa më të lehtë lëvizjen e emigrantëve dhe punën e tyre investuese në Kosovë; duhen lehtësuar procedurat për kthimin e emigrantëve, duke bërë projekte të përbashkëta me ta; në këtë mënyrë krijohen të gjitha mundësitë që duke nxitur projekte emigrantët investojnë në shtetin e Kosovës dhe krijojnë lidhje më të forta me vendin dhe me njerëzit etj. “Në fakt lidhja mes migrimit dhe zhvillimit jo vetëm i heq dramacitetin migrimit si proces vetë, po duke ndikuar në zhvillimin e vendeve të origjinës, ul në një të ardhme të afërt flukset migratore nga ato vende dhe kontribuon vetiu në një zhvillim të qëndrueshëm atje”. Kështu do të krijohen lidhje të vijueshme duke i njehsuar qytetarët, si ata që janë në Kosovë, si ata që vijnë nga emigracioni, jo siç ndodhë a siç shihet shpesh, që emigrantët shihen thjeshtë si burim të ardhurash familjare dhe kaq. Realisht do të konsiderohej me vlerë që emigrantët të trajtohen si një element që ka kapacitete ta çojë zhvillimin e vendit përpara, si një fuqi, që ka aftësinë të ndryshojë jo thjeshtë pamjen e vendit, por edhe ta rendisë Kosovën në rendin e vendeve të respektuara. Në Kosovë, numri i emigrantëve është në nivele të larta. Shtrirë sipas komunave, evidencohet se: “Në komunat me numër të vogël të popullsisë 7 rezidente, emigrimi ishte më i ulët siç janë: Shtërpca, Graçanica
, Ranillugu dhe Mamusha nën 10%. Derisa, ajo rritet deri në rreth 30 – 47% në komunat e tjera të vendit, siç janë Suhareka, Mitrovica, Klina dhe Gjakova. Në raport me popullsinë rezidente, numrin më të madh të popullsisë emigruese kishte Suhareka, afër 47% të popullsisë jetonte jashtë vendit. Në Prishtinë, shkalla e raportuar e migrimit jashtë vendit është rreth 15% e popullsisë rezidente, d.m.th, gati 30 mijë persona”. Kështu, siç shihet në tërësi rezulton se rreth ¼ e popullsisë së Kosovës është në emigracion. Por duhet theksuar se në këto ¾ e popullsisë në Kosovë janë edhe fëmijët, pleqtë, të pa aftët për punë etj., në emigracion dominon fuqia e aftë për punë, kështu që në qoftë se do të vlerësonim që fuqi e aftë për punë në Kosovë është 50% e popullsisë, do të rezultonte që emigracioni nuk duhet vlerësuar me shifrën ¼ por me shifrën 4/10, që i takon të vlerësohet se rreth 40% e fuqisë së aftë për punë të Kosovës është në emigracion. E duke u nisur qoftë edhe thjeshtë nga këto shifra, duhet të ndalemi e të mendojmë se të thithësh gjithë këto kapacitete që në mënyrë të organizuar të investojnë në Kosovë, do të thotë të krijosh një fuqi të konsiderueshme zhvillimore dhe një siguri se e ardhmja do të jetë e lumtur për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe për shtetin një vlerë e madhe në arritjet e synimeve zhvillimore. “Roli i migrimit në ndërtimin e kapaciteteve dhe aftësive nuk duhet nënvlerësuar. Stark, Helmenstein, dhe Prskawetz (1997) sugjerojnë se shpresa e migrimit eventual mund të ofrojë një nxitje të fuqishme për njerëzit për të studiuar më shumë, dhe pasi që jo të gjithë emigrantët e mundshëm migrojnë, vendi mund të përfitojë nga kthimi i trurit. Për më tepër, migrimi mund vetë të jetë i motivuar nga dëshira për të përvetësuar aftësi dhe arsim jashtë vendit, 3,2 për qind e emigrantëve arrijnë të paktën një diplomë universitare jashtë vendit dhe deri në 10 për qind e përmirësojnë nivelin e tyre të përfunduar të arsimit nga fillor në të mesëm ose nga të mesëm në profesional. Nëse këta emigrantë kthehen, Kosova mund të përjetojë kthimin e trurit”. Tregues të tillë njëkohësisht janë impresionues, sepse na krijojnë një tjetër mendim për të ardhmen e Kosovës. Na krijojnë një pasqyrë ku mund të krijojmë një bindje më të qartë të sigurisë për të ardhmen. E kjo për arsye se, aktualisht mendimi se duhet larguar nga këtu, në veçanti te të rinjtë është dominues. Por kur ata shikojnë bashkëmoshatarët e tyre, ose ata që janë munduar t’i imitojnë se po kthehen dhe po punojnë për ta zhvilluar Kosovën, na krijon bindjen se do të krijohet një mendim më i qartë edhe për emigrimin, që na duket aq i ëmbël e që na duket se po të shkojmë atje do të na duartrokasin që shkuam e do të na përkëdhelin. Kur në fakt duhet të kemi të qartë se vërtetë do të shkojmë në emigracion, por do të shkojmë jo për t’u lumturuar, do të shkojmë për t’u skllavëruar, për të bërë punë të rënda, për të zhvilluar vendet e të tjerëve, për të mos pasur autoritet e personalitet, por thjeshtë për t’u bindur, për të ulur kokën, për t’u fyer, për t’u urdhëruar kohë e pa kohë, për t’u thirrur me emra si t’u duket më e përshtatshme vendësve a punëdhënësve etj. Duke vlerësuar se “se migrimi është thelbësor për zhvillimin e një shoqërie – një komponent i ndërtimit të zhvillimit ekonomik”. Mbështesim mendimin se politika shtetërore, duhet forcojë efektet pozitive të migrimit në zhvillim, duke qenë pranë qytetarëve para se emigrantët të largohen nga vendi, gjatë qëndrimit të tyre jashtë vendit, dhe pas kthimit të tyre në vendlindje. Duke bërë që: “Përfitimet e mundshme të politikave të tilla do të kishin efekte të përhapjes në 8 gjithë ekonominë, jo vetëm në emigrantët dhe familjet e tyre”. Dhe kjo sepse “… kthimi i emigrantëve varet nga rrethanat ekonomike, politike dhe shoqërore në vendlindjen e tyre. Kur emigrantët vendosin të kthehen, ata shpesh sjellin kursime, si i përdorin ata këto kursime varet nga një numër i politikave, të tilla si lehtësia e të bërit biznes dhe disponueshmëria e informacionit për mundësitë e investimeve. Për më tepër, emigrantët mund të sjellin aftësi dhe njohuri të reja që mund të ndërtojnë kapitalin njerëzor të vendlindjes”. Ne i kemi të gjitha mundësitë t’i shfrytëzojmë këto kapacitete, të rritim ndikimin e emigracionit mbi ekonominë e vendit, duke krijuar një potencial të konsiderueshëm për hapjen e vendeve të punës për qytetarët e Kosovës. Politika shtetërore duhet të jetë e orientuar te kthimi i emigrantëve, duke synuar që ata të vijnë në Kosovë, për t’u integruar në ekonominë e vendit, qoftë si punëkërkues ose si investitorë. Prandaj mendoj që për çështje të tilla të ndërtohen politika specifike shtetërore, duke angazhuar jo thjeshtë diplomacinë, por duke krijuar grupe të posaçme pune, që të merren me studimin e çështjeve të tilla dhe me nxjerrjen e përfundimeve të vlefshme për qeverinë, e cila duhet të ketë synime të qartësuara për vete, se çfarë duhet bërë, si duhet bërë, ku mund të jenë fushat më të favorshme për investime të emigrantëve të kthyer a që ftohen të kthehen, cilat mund e duhet të jenë masat që merren e zbatohen për të përmirësuar mjedisin e biznesit për punësime dhe investime etj.