Mbi “luftën” Kosovë – Shqipëri
Nga Andi Bejtja
Mjaftoi një deklaratë e një humoristi nga Kosova ku nënvizohej se shqiptarët e Shqipërisë mburren me shqiptarët e suksesshëm jashtë me origjinë nga Kosova dhe sidomos, e theksoj breshëritë e përgjigjeve në rastin më të mirë folklorike nga të gjitha anët, për të kuptuar se parrulla e dashur ndoshta për shumicën e shqiptarëve kudo që ndodhen “Jemi një”, më shumë se realitet, është idil. Pavarësisht se kemi të vështirë ta pranojmë, pamë që sa hap e mbyll sytë, po ecnim në akull, duke vërtëtuar se për të “Qenë Një”, nuk mjaftojnë disa mbledhje burokratike midis dy anëve të kufirit, bashkëpunimet në muzikë apo kinematofrafi, apo qoftë dhe kalimi pa vulë i kufirit muajt e verës.
Fatkeqësisht, me sa duket nuk mjaftoi as pritja homerike që shqiptarët e Shqipërisë i bënë atyre të Kosovës në vitin 1999, ku ndoshta edhe 20 vjeçarët e sotëm në Kosovë nuk e kanë fare të regjistruar në memorie. Për të “Qenë Një” ka vetëm dy mënyra: ose si na bashkoi Hitleri ato pak muaj në 1944, ose të punohet çdo ditë, çdo minutë dhe çdo sekondë, si në rrafshin administrativ, kulturor dhe shpirtëror.
Këto pak episode, kush janë më të mirë ne a ata, a na duan ata më shumë apo i duam ne, që shpërthyen si rrufe në qiell të hapur, dëshmojnë se pavarësisht çfarë ka në zemrën e çdo shqiptari, togëfjalëshin “Jemi Një” ne nuk jemi gati ta mbajmë mbi shpatulla, jo vetëm për shkak të marrëdhieve pothuajse të ngrira momentale midis dy qevevrive gati gati armiqësore, por edhe se nuk kemi një shoqëri civile të konsoliduar në të dy anët e kufirit dhe për më tepër kemi një pjesë të medias komplet injorante.
Nëqoftëse një motorr automatik do lundronte aktualisht në rrjetet sociale, automatikisht do i dilte që Shqipëria me Kosovën jo vetëm nuk “ Janë një”, por dhe më tej, ka dhe gjurmë urrejtjeje. Aktorit Osman që u mburr më Dua Lipën apo Gjerdan Shaqirin, i kundërvunë sa hap e mbyll sytë Kadarenë e Ermonela Jahon…
Motorri automatik do të nxirrte fjali të tilla që shqiptarët e Shqipërisë “der në vitin 1992 nuk dinin çfarë ishte bananja apo ‘Coca-Cola” apo nga krahu tjetër që shqiptarët e Kosovës janë thjesht shqipfolës”, etj. etj. pa fund si këto.
Po të kalosh te media, i vë kollaj duart në kokë. Kam parë këto kohë gazetarë në Kosovë që pyesin njerëzit në rrugë “A i duam ne më shumë shqiptarët e Shqipërisë a na dojnë ata?” Si ata injorantët që i pyesin fëmijët në sy të miqve që u kanë ardhur për vizitë: kë do më shumë mamin apo babin? Sikurse kam parë injorantë nga krahu tjetër që i pyesin shqiptarët në mes të Tiranës me mikrofonë në dorë: a janë kosovarët shqiptarë apo shqipfolës? Apo siç kemi parë dhe debate madje dhe në ekranet kombëtare ku njëri i Shqipërisë thotë që kosovarët nuk njohin vajin e ullirit dhe tjetri i Kosovës ia kthen se shqiptarët e Shqipërisë gatuanin në banjo. Mjafton të shikosh debatet sportive në Prishtinë në lidhje me ardhjen dhe shkëlqimin e një trajneri si Daja nga Tirana, për të parë sa shpejt debati, nga sportiv, sa hap e mbyll sytë kthehet në debat antropologjik, për të kuptuar, se dhe te “Jemi Një” nga e thëna në të bërë është një mal i tërë.
Nga ana tjetër nuk mund t’i mbyllim sytë dhe përpara një grupi jo të vogël njerëzish në Kosovë, që unë vetë e kam ndeshur fill pas çlirimit të saj dhe hyrjes së forcave të NATO-s atje, që flasin për një identitet kosovar, bazuar jo te flamuri i njëjtë kombëtar, as tek Skëndërbeu, as te qëllimi dhe lufta e UÇK për bashkim kombëtar, por kryesisht te dialekti geg sipas tyre i përdhunuar zyrtarisht nga Enver Hoxha dhe një supremaci sipas tyre që mund te jetë e vërtetetë në art, kulturë dhe sport. Është fare e qartë kjo bërthamë do rritet sidomos pas divergjencave midis dy liderëve shqiptarë Albin Kurti dhe Edi Rama. Ka dhe disa të tjerë që e shtojnë dozën e të ashtëqujturit “identitet kosovar” pasi mendojnë se Edi Rama po i fut thika pas shpine Kosovës.
Të gjithë duhen mirëkuptuar dhe duhen pranuar, pavarësisht se në çdo formulim, dialekti, supremacia kulturore apo sportive nuk mund të jenë përcaktues të identitetit kombëtar. Identiteti kombëtar është përtej një dialekti, përtej një supremacie kulturore apo sportive qoftë dhe sa gjysma e gjithë shqiptarëve, përtej Osmanit, përtej Albinit dhe përtej Edit… “Jemi Një” është një slogan i bukur, por një rrugë e gjatë.
Unë nuk jam naiv të shpresoj që gazetarët injorantë nuk do bëjnë më pyetje idjote nëpër rrugët e Tiranës apo Prishtinës, apo që ata që duke dashur të mbrojnë Ramën apo Albinin, me dashje apo pa dashje, të godasin e rigodasin pa fund identitetin kombëtar. Sikurse nuk do çuditesha nga ana tjetër që nëqoftëse përshembull Kombetarja e Kosovës të fitonte Europianin, nuk është çudi që gjysma e shqiptarëve të Shqipërisë të kërkonin atë identitet kosovar të cilin sot e shumëzojnë me zero. Ndaj në këto kushte kam vetëm një propozim: Identitetin shqiptar ta gjejmë vetëm te një shqiptar i sukseshem në botë, Ferid Murad.