MBI PASTËRTINË E LISTAVE, QËLLIMET, LËSHIMET, GABIMET DHE PËRFITIMET!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
Kush e huqi dhe kush e skuqi: Edhe para se të fillojë fushata zyrtarisht, disa muaj më parë liderët e subjekteve politike garuese premtuan se listat do të jenë befasi për të mirë dhe se në këto lista nuk do të ketë kandidatë të kriminalizuar, duke menduar këtu për vepra siç janë korrupsioni, krimi i organizuar dhe nepotizmi.
Kishim dy skaje të kundërta, disa ambasadorë dhe e ashtuquajtura shoqëri civile që kërkonin pastrim të listave, ndonëse sidomos disa nga shoqëria civile asnjëherë nuk u ishin nënshtruar lavazhit e që e kërkojnë nga të tjerët, jo pse mbështeten në parime apo standarde morale, por se mendojnë se duke u bërë zgjatje e kërkesave të disa ndërkombëtarëve do të përfitojnë fonde dhe subjekteve politike që iu nënshtruan dhe po iu nënshtrohen presioneve, edhe në kundërshtim me ligjin. Për pastrimin e listave nuk po merret parasysh standardi ligjor, por ai moral apo kanunor.
Sipas ligjeve në fuqi është e qartë procedura se si kufizohet e drejta për të garuar në zgjedhje, për të votuar dhe për t’u votuar. Pa një vendim përfundimtar të një gjykate kompetente e cila e shqipton këtë masë, askujt nuk mund t’i mohohet e drejta për të garuar, për të votuar apo për ta kërkuar votën. Në çdo rast tjetër kemi të bëjmë me shkelje flagrante të parimit kushtetuese për presupozimin e pafajësisë e që duhet ta kenë të qartë edhe ambasadorët, por edhe shoqëria civile apo individë të shndërruar në gjuajtës apo grabitës të fondeve, në të kundërtën çdo vendim tjetër arbitrar Gjykata Kushtetuese do ta anulonte.
KQZ-ja nuk ka të drejtë në mënyrë arbitrare apo për shkak të presionit të një segmenti të shoqërisë të mos e certifikojë një parti apo kandidat, qoftë anëtar të partisë apo të pavarur. Standardi moral nuk mund ta zëvendësojë ligjin dhe në të shumtën e rasteve morali dhe ligji e përjashtojnë njëri-tjetrin; çka është e moralshme nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e ligjshme dhe, gjithashtu, nuk është çdo ligj shëmbëlltyrë e moralit! Po të ishte përcaktues morali, Lista Serbe kurrë nuk do të certifikohej nga KQZ-ja.
Në shtetet me një demokraci të zhvilluar dhe të konsoliduar, standardi moral thuaja është mbi ligjin apo vetë ligji. Jemi dëshmitarë kur ndonjë personalitet i lartë politik në vendet demokratike bën shkelje të ligjit, qoftë edhe të vogël, nuk pret të shkarkohet, por se jep dorëheqje menjëherë. Kryesisht për arsye morale! Ne në Kosovë, sikur edhe të gjitha vendet dhe shtetet e Ballkanit, jemi shumë larg këtij standardi. Do të jemi larg edhe për një kohë.
Pajtohem që një i akuzuar për disa vepra që janë në kundërshtim me moralin profesional dhe njerëzor nuk duhet fare të garojnë në zgjedhje, pa pasur nevojë të hiqen nga lista, pas një presioni të madhe. Mendoj se duhet të jetë rregull i përgjithshëm se të gjithë ata që kanë bërë krime kundër njerëzimit, krime të luftës apo që kanë rënë në kundërshtim me të drejtën humanitare duhet përjetësisht të përjashtohen nga politika përmes një mase të shqiptuar nga gjykata kompetente.
Po nuk është kjo lakmi vetëm tek ata që merren, mendojnë se merren apo bëjnë përpjekje të merren me politikë; edhe udhëheqësit e sporteve që po arrijnë sukses në skenën botërore falë përkushtimit dhe ndershmërisë, janë thellësisht të kriminalizuar, me aktakuza por edhe me vendime të formës së prerë të gjykatave kompetente për aktivitete kriminale. Pastaj, edhe disa prej neve të së ashtuquajturës shoqëri civile i bashkohemi politikës për shkak të lakmisë për pushtet dhe për poste dhe kur dështojmë, përsëri kthehemi aty ku kemi qenë tërë kohën.
Ku shihni ju këtu moral e që pastaj i akuzoni të tjerët për mungesë morali?! Pastaj, në bazë të cilave kritere kërkoni që të hiqen nga lista ata që kanë qenë të dënuar për vepra jokorruptive dhe që e kanë vuajtur dënimin siç është rasti i Bajrush Xhemajlit, aktivistëve të LV-së që rrotullonin veturat e EULESH-it e tani ndiqen ndonëse ka kaluar një shekull nga ato aktivitete apo gjuajtësve me vezë. Nuk kanë bërë aktivistët e LV-së vepra të krimeve të luftës apo krimeve kundër njerëzimit e që ato të mos vjetërsohen. Nuk jam fare jurist dhe jam krejtësisht leshko në këtë fushë, mirëpo nga përvoja e gjatë në burgje dhe gjatë marrjes në pyetje nga hetues të UDB-së (Sigurimi Shtetëror i Jugosllavisë) dhe oficerë të KOS-it (Shërbimi Kundërinformativ i Ushtrisë jugosllave) si dhe gjatë përvojës së gjatë në organizatën ku punoj, aktakuza ndaj Xhavit Halitit (nëse është ngritur) nuk ka asnjë element të veprës penale e as të kundërvajtjes.
Madje, një gjykatë edhe jo aq profesionale nuk do të merrej fare me këtë aktakuzë! Ma merr mendja se edhe gjykata apo Këshilli i Pleqve të Bangladeshit do të shqepej së qeshuri po ta merrte një aktakuzë të tillë! Jo pse është në pyetje Xhavit Haliti apo Gani Dreshaj, por nëse edhe Marko Gjuriq do të akuzohej me këto “prova”, reagimin do ta kisha të njëjtë! Ndoshta ka diçka që unë nuk e shoh apo as opinioni nuk e sheh, mirëpo po ta bënte këtë aktakuzë edhe Shefqa, do të dukej morbide dhe qesharake! Mendoj se të gjitha listat janë kryesisht të pastruara dhe në përputhje me ligjet në fuqi. Po të analizojmë pakëz këto lista që sipas interesit, dikush i mbron e dikush i sulmon.
- Lista e Lidhjes Demokratike të Kosovës: Në dukje dhe përbërje duket të jetë lista më e pastër. Të gjithë ata që kanë qenë pjesë e proceseve gjyqësore për korrupsion apo krim të organizuar në marrëveshje midis palëve janë larguar nga lista. Kjo listë e bën LDK-në të besueshme kur deklaron se është kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. E dekriminalizon listën e cila nuk ka dalluar më parë nga listat e tjera. Varësisht nga proceset politike dhe kush do ta ketë pushtetin, ata që janë në listë e që janë të pastruar e që publiku dhe zogjtë e Madagaskarit e dinë se janë të korruptuar dhe se janë bërë milionerë nga krimi, ende do të mbesin të pastruar apo do t’iu nënshtrohen spastrimit para drejtësisë. Lista e LDK-së është punë dore e endur me saktësinë e një filigranisti, Isa Mustafës, i cili e amortizoi çdo kundërshtim të gjithëve, iu premtoi diçka, kurse atë që bëri emër në sajë të opozitarizmit ndaj Isa Mustafës, fatosen apo pionieren, Vjosa Osmanin, që e dha betimin solemn se kurrë nuk do të bëjë koalicion me PDK-në, e propozoi për kryeministre. Isa e ka luajtur ruletin rus me mjeshtëri duke iu shmangur të gjithë plumbave të kundërshtarëve brenda LDK-së apo, me një fjalë, ua ka lagur barotin. Edhe Kryesinë e bëri sipas projektit që i përshtatej, kundërshtarët e zëshëm i futi brenda, kriminelët i la jashtë, por ua rehatoi dikë prej familjarëve duke i sistemuar të gjithë si ushtarët prej argjile në sheshin Tien ah Men të Pekinit. Për lëvizje të shpejta dhe të suksesshme në politikë, Isa Mustafa i ka nokautuar të gjithë rivalët politikë, në aspektin afatgjatë e ka vënë para falimentimit LDK-në. Po duket se Isai, kur ka vendosur ta qëndisë LDK-në ashtu si e ka bërë, është udhëhequr nga parimi i Luigjit të XV-të: “Pas meje të ndodhë kiameti…”. LDK-ja nuk ka pasur prurje, as spektakolare e as të reja, por se e ka ruajtur substancën, edhe të ashtëzuar (elefantët legjendarë) si edhe këta skifterët që kishin shumë ambicie, por se mbetën pa pupla në kohën kur armën më të fortë, sqepin, gjithmonë e kanë pasur të topitur. Lista e LDK-së, sikur listat e të gjitha subjekteve të tjera, është listë e kompromisit, listë e pazareve dhe listë e shantazhit. Por e maskuar shumë mirë dhe mjeshtërisht dhe taktikisht mirë e udhëhequr nga Isa Mustafa. Vlerësoj se dëmin më të madh po ia bëjnë LDK-së këta që po kanë qëndrim shumë armiqësor ndaj Lista…… PDK-së, që po betohen me shaminë e pionieres sikur edhe koçemadhi dhe njeriu kryesor i LDK-së në këta 20 vjetët e fundit, pa pëlqimin e të cilit nuk është marrë asnjë vendim, Ismet Beqirit, i cili, për të treguar se është alfa politikani i LDK-së, vendosi, jo një vijë të kuqe, por dy të tilla për PDK-në. E padëgjuar dhe e paparë në Kosovë deri më tani dhe këtë mund ta bëjë vetëm dikush që ka siguri, ndikim dhe dominim 100 për qind si puna e mikut tim, Ismet Beqirit. Përkundër të gjithave, mendoj se LDK-ja dhe PDK-ja do ta bëjnë luftën kryesore për vend të parë dhe se nuk përjashtohet koalicioni midis tyre pas përfundimit të certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
- Partia Demokratike e Kosovës: Askush nuk e do ditën, të gjithë e ëndërrojnë natën! Me paditurinë e tyre politike disa parti politike PDK-në e shndërruan në viktimë duke ua mobilizuar instinktin e mbrojtjes dhe mbijetesës dhe duke i bërë bashkë edhe ata që nuk flitnin midis vetes. Ka bërë shumë aderime, nga patriotë të dëshmuar deri tek ata që i akuzonin dhe sulmonin tërë kohën. Më herët pata shkruar se PDK-ja i ka dy probleme: Hashimin dhe granimin. Lista e propozuar nga kjo parti bën zgjidhje për të dyja problemet; i rehaton njerëzit e Hashimit dhe e forcon granimin. Duket si diçka që i ngjan aventurës, por renditja në pozita të larta të disa ardhacakëve në PDK e forcon tehun dialogues dhe hedh zjarr në debate e që i ka munguar deri tani. Në PDK deri tani granimi është marrë kryesisht me muzikë. Blerta për muzikë të lehtë dhe serenata në emisione televizive, kurse Ganja me muzikë patriotike në akademi përkujtimore apo në lokacione ku ka deficit të patriotizmit. PDK-në me Hajredinin, Blerimin, Abelardin, Memlin, Tarantinon e kafiterive, Besën, Lizën dhe Valdeten e ka krijuar një ekip të respektueshëm përfaqësues për debate dhe fushatë. Ka edhe të tjerë që ndihmojnë sikur që është Hajdari i cili nuk del fort në vijën e parë, por se është mbledhës i madh i votave. Pres që edhe ish-punëtori im në ShIK (Shërbimi Informativ i Këshillit që edhe sot është shumë aktiv), Ilmi Reçic,a të angazhohet më shumë në debate dhe fushatë sepse i ka të gjitha potencialet për këtë. Për ujin dhe djathin “Rugova” nuk është askush më kompetent të flasë se Migjen Kelmendi, varianti shqiptar dhe kosovar i Bora Ribla Çorbës! Edhe PDK-ja e ka bërë listën e kompromisit, diku kanë hyrë edhe me zor sikur që kanë penguar të tjerët të bëhen pjesë e listës. Mirëpo në PDK është një grup jo fort i vogël i kandidatëve për deputetë që për sigurimin e votave e çajnë prapanicën e vet e mos flasim për prapanicat e votuesve dhe në këtë mënyrë i sigurojnë vota partisë. Më ka befasuar shumë që është penguar të bëhet pjesë e listës dr. Haki Gashi, një ish i burgosur politik nga Suhareka, një patriot idealist, një personalitet me virtyte të larta njerëzore dhe morale dhe, si vlerë e shtuar, dr. Hakiu do të shërbente si flamur në luftëm kundër korrupsionit për faktin se po ta lini edhe në trezorin e thesarit amerikan apo në vendet ku ruhet ari dhe diamantet e tërë botës nuk do të mungonte asgjë. Nuk do të kishte fare nevojë të bëhej regjistrimi i pasurisë në këto objekte. Refuzimi apo kushtëzimi që ai të mos jetë pjesë e listës qartë tregon se në PDK ende ka të tillë që korrupsionin nuk e kanë vetëm hobi, por e kanë mënyrë të të jetuarit. Është e vërtetë se PDK-ja e ka një listë stabile, ka bërë shumë ndryshime dhe se nuk e ka asnjë të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Këtë premtim e pati dhënë Kadri Veseli dhe premtimin e ka mbajtur. PDK-ja u forcua shumë duke u sulmuar fillimisht nga Ismet Beqiri dhe, së voni, nga fatosja e Isës, Vjosa, e mos të flasim për LV-në dhe të tjerët. Derisa Albin Kurti dhe Isa Mustafa tridhnin miza në hanin e Sami Llapjanit i quajtur “Sirius”, për muaj të tërë PDK-ja ka punuar në terren tërë kohën. Tash, sipas analizës sime, PDK-ja do të luftojë për vend të parë me LDK-në dhe nuk do të jetë habi nëse edhe i fiton zgjedhjet. Të gjithë po thonë se PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, edhe unë e them këtë. Nëse PDK-ja del në opozitë do të lirohej nga përgjegjësia e marrjes së vendimeve të dhimbshme dhe të vështira siç kanë paralajmëruar kongresistët amerikanë. Po PDK-ja nuk e ka këtë largpamësi politike dhe se vështirë do të pranojë të jetë në opozitë. Sa iu përket koalicioneve, pas zgjedhjeve do të shohim se a më shumë i shkon fjala Ismetit dhe Vjosës që janë kundër koalicionit apo Palmerit dhe Trumpit që janë për një qeveri që është e gatshme të bisedojë me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje, të dhimbshme dhe të rëndë. Historikisht dhe faktikisht është dëshmuar se për shkak të interesave të larta shtetërore dhe partneritetit me “miqtë” ndërkombëtarë, LDK-ja dhe PDK-ja nuk e kanë fare problem të marrin vendime të vështira dhe të dhimbshme. Edhe nëse ia ngulin Kosovës.
- Lëvizja Vetëvendosje: Kjo lëvizje ka një listë të mirë e që është vërshuar nga anëtarë të shoqërisë civile të cilët, nëse nuk akomodohen ku duan dhe si të duan, përsëri kthehen në grazhdin e nënës bujare – shoqërisë civile që nuk i lë fëmijët në rrugë! LV-ja dhe do të ketë vota, por për shkak të ndarjes së një pjese të saj nuk do të ketë vota sikur në vitin 2017. Përpjekja për koalicion me LDK-në ishte e kotë për faktin se asgjë nuk i bashkonte përveç, ta them, urrejtjes ndaj PDK-së. Prandaj edhe dështoi. Prandaj do të jetë vështirë apo e pamundur të bëhet koalicion paszgjedhor. LV-ja ka luajtur një rol të shëndoshë opozitar dhe ka penguar disa procese të dëmshme për Kosovën. Problemi i LV-së ka qenë dhe është se oferta e saj është në shpërputhje me projektet ndërkombëtare për Kosovën si dhe mundësitë reale për konkretizimin e tyre. Personalisht, po të isha në situatë, procesin e bisedimeve do t’ia besoja Albin Kurtit sikur edhe luftën kundër korrupsionit. Nëse kemi parasysh rrethanat aktuale, LV-në nuk e shoh ta ketë rolin udhëheqës edhe nëse del partia e parë. LV-ja, ndonëse ka ndryshuar shumë, më shumë se të gjitha partitë e tjera të cilat e kanë ruajtur konservatizmin e tyre edhe në procese negative, nuk e ka fituar besimin e atyre që vrasin dhe kthjellin në Kosovë për t’i udhëhequr proceset që e presin Kosovën. LV-ja duhet të bëhet gati për një opozitarizëm të fortë dhe konstruktiv. Nëse del e kundërta, do ta përkrah pa asnjë rezervë.
- AAK dhe PSD: PSD do të mbijetojë në sajë të AAK-së që i ka të rritura aksionet politike në Kosovë. Ky koalicion nuk do të ndahet keq me vota e as me deputetë. Nëse LDK-ja fiton zgjedhjet, ky koalicion do të bashkohet me LDK-në sikur edhe Nisma, nëse e kalon pragun zgjedhor. Haradinaj në këtë rast mund të pajtohet edhe të mos jetë kandidat për kryeministër. Me bërjen e koalicionit me AAK-në, PSD-ja ka fituar muskuj dhe ka fituar siguri që mos t’i rrahin të tjerët, ndërsa AAK-ja ka fituar një ekip përfaqësues për debate dhe fushatë. Nuk e besoj se mund t’i fitojnë zgjedhjet, por se mund të dalin subjekti i tretë apo i katërt.
- Nisma Socialdemokrate dhe AKR: Ky koalicion del të jetë joparimor aty ku ka parime, në Kosovë është shumë i natyrshëm. Nisma e majtë dhe AKR e djathtë është sikur të bënin koalicion Berti Sanders dhe Donald Trump. Edhe AAK-ja e djathtë dhe PSD-ja e majtë janë njëjtë. Koalicioni Nisma dhe AKR po bëjnë llogari se pa ta nuk formohet qeveria e që nuk është fare e vërtetë. Madje, Nisma do të ndahej shumë më mirë pa AKR-në se me këtë kooperativë bizneso-politike. Behgjet Pacolli, pa Agim Bahtirin, nuk ka bukë në politikë. E la Agimi e shpëtoi Hashim, përmes Fatmirit. Mos u habitni nëse ky koalicion përballet me vuajtje të Tantalit në kalimin e pragut zgjedhor. Nuk e besoj se më Behgjet Pacolli do të jetë në garë me Ivica Daçiqin se cili do ta dëmtojë më shumë Kosovën, njëri me rritjen e çnjohjeve, tjetri me uljen e njohjeve. Realisht, nuk e kam të qartë a më shumë e ka dëmtuar Kosovën në planin ndërkombëtar, Ivica apo Begja!