Mbi përplasjen e shqiptarëve me vetveten

29 janar 2025 | 08:38

GELANDA SHKURTAJ

Përse demokracia shqiptare është shterpë në ide lëvizëse, përgjigjja duhet kërkuar tek historia dhe mentaliteti i mbrujtur hibrid, midis prapambetjes dhe kushtëzimit. Pjesëmarrja në sistemin politik, ndër të tjera, kërkon pranimin e të ndryshmes, kundërshtive apo debateve konstruktive, të fokusuara tek interesi kombëtar. Rrugëtimi tregon se partitë politike me këtë fazë përplasje të domosdoshme, në interes të shqiptarëve, nuk janë ballafaquar ndonjëherë. Për një kontekst të mirëfilltë historik dhe gjeopolitik, Shqipëria nuk arriti deri në prag të viteve ’90, që të kishte një program të pavarur, të painfluencuar si politikisht aq edhe ideologjikisht nga faktori i jashtëm. Kështu erdhi ajo, deri në rënien e murit të Berlinit, pa asnjë vokacion autentik në politikëbërje. Pluralizmi, një model i kërkuar vetëm nga një pakicë elitare deri atëherë e suprimuar, u imponua më shumë si një “kallëp” brenda të cilit duhet të formëzoheshin partitë post diktaturë.

Ato u katapultuan në këtë format pa një proces rritjeje, dhe momenti i kthesës për krijimin e programeve, qofshin edhe antagoniste, nuk u maturua asnjëherë. Fati i njëjtë mesa duket, do të kushtëzonte edhe ardhshmërinë e politikës në Shqipëri. Ndofta, “lakuriqësia” me të cilën doli e izoluar përballë një bote të zhvilluar, imponoi kapjen e trenave perëndimorë, pa i dhënë kohë-kohës për të njohur dhe pozicionuar veten. Në një terren vulnerabël zhvillimi, modeli qeverisës i partive politike ka qenë një trazim midis interesave personale dhe imponimit gjeopolitik të të huajve. Për të bërë më të thukët diskursin, pluri-partitizmi në Shqipëri ka qenë dhe vijon të mbetet pa diferencime të formës dhe përmbajtjes në programe dhe sjellje politike.

Në dekadën e tretë post komuniste, ravijëzohen të njëjtat forma trashëgimie në politikëbërje, përfaqësuar nga parti me tri komponentë strukturor: baza, kupola, dhe luanët “alfa”. Në fakt, votuesi “gri” është gjendur gjithmonë përballë dilemës dhe mungesës së alternativës qoftë të ideve shtetbërëse, qoftë të alternativave politike. Partitë e mëdha kanë mbetur po të njëjtat, me një luan “alfa” i dalluar në drejtim për nga statura dhe karizma idiomatike. Kupola vijon të karakterizohet nga të njëjtat simptoma: idhullëzimi i liderit me figurën e atit politik; mbështetja e “alfë-s” tek tregtarët-oligarkë; servilizmi i pafre’ deri në libido-frikën ndaj luanit; glorifikimi pa barriera morale i mbrapshtive arrogante të “alf-ës”; mungesë vizioni auto-kritik; mbajtje e pushtetit me çdo kusht; mos-shtrirje dore kundërshtarit; mungesë e rrotacioneve politike.

E po aq, baza mbështetëse e kënaqur me “krothën” e radhës, nuk ka asnjë vizion kritikues me vetveten, por vë njollën e fajit “atij”, “asaj” “atyre”, dhe asnjëherë “vetes”, “liderit tim”, “programit tim”, “arrogancës sonë”, “injorancës sonë” e kështu me radhë. Për aq kohë sa ky proces rritjeje i brendshëm nuk është, e mesa duket aktualisht ka pak gjasa të ndodhë, mënyra e politikëbërjes do të rrotullohet tek interesat e “alfës” dhe grupimit të tij, me përuljen ndaj ndërkombëtarëve, që sipas interesit, ose i damkosin engjëj që i bekojnë, ose djaj që i pengojnë në progresin e tyre brilant.

NDASITË KRAHINORE JUG-VERI

E rrënjosur ndofta që në përfundimin e luftës së dytë botërore, edhe pse shpesh jo e dalë hapur, ndasia veri-jug, mbetet një hendek i pakapërcyer në ndërgjegjen dhe drejtimin e gishtit të fajit, mes shqiptareve. Me shumë gjasë e për aq kohë sa historia nuk është shprehur ndryshe, ndofta gjithçka i gjen fijet me masakrën e Tivarit. Përtej skenarëve politikë apo historikë të kohës, një fakt mbetet i pakontestueshëm: sistemi diktatorial në Shqipëri u instalua me dorën e jugosllavëve dhe modeli politik deri në ndarjen me ta, ishte ai jugosllav. Në vitet e para të udhëheqjes komuniste, u bë kurban gjaku i pastër i shqiptarit, për hatrin e miqve ekspansionistë që po shihnin në pjatë Republikën e shtatë.

Një fat i pafat solli ndeshjen e sllavëve brenda kampit të tyre, për t’u ndarë edhe byroja politike, nga njëri mik dhe për të rënë në krahët e mikut tjetër. Diktatura komuniste provoi eksperimentet me absurde mbi kurrizin e një populli të përdhosur. Dihet atdhetarizmi e ndërkohë tmerri i masakrave që veriu i vendit kishte jetuar për shkak të fqinjëve shovinistë. Sigurisht, klasa politike e dalë nga lufta e dytë, për aq kohë sa u vu me armikun dhe u bë mbështetëse e idesë së tij, kundër interesave të kombit, nuk do të kishte miratimin dhe kurrë përkrahjen në popullatën e veriut. Politika zyrtare këtë atdhetarizëm do ta justifikonte me armiqësinë e veriut dhe moszhvillimin e tij, duke dashur të mbulojë mynxyrën ku u përfshi në mënyrë të turpshme.

Ky ishte një borxh moral që historia, të paktën e post diktaturës, duhet të ndërmerrte dhe të kërkonte falje publikisht. Por kjo gjë nuk u bë asnjëherë, afërmendsh me të njëjtën dhimbje sa u kërkuan falje të persekutuarve politikë. Partitë e majta, nuk u turpëruan ndaj kombit që të pasonin stafetën socialiste duke u pozicionuar haptazi njëlloj me të. Ndërkohë edhe ato të djathta që duhet të kishin promovuar të vërtetat historike, u fokusuan te karrigia dhe pushteti, duke lënë edhe më keq bazën që duhet të përfaqësonte, të paktën moralisht. Trashëgimia komuniste në përmbajtje e formë kishte zënë vend për të mos u çrrënjosur lehtë në të dyja kahet, nga maja tek baza.

Askurrë nuk iu dha një fije peshe këtij fakti, që si mola, gërryen dita ditës përçarje mes Shqiptarëve, shtetit e kombit. Kështu, vijon dhimbshëm të dëgjohet në 2025-ën termi “malok” i përdorur në mënyrë përçmuese, prej atyre që kanë zbritur të njëjtat lartësi malesh nga jugut i vendit. Mënyra e përçmuar e të folurit vijon edhe në mendimin e atyre veriorëve që nuk e ndanë kurrë imazhin e shtetit diktatorial me jugorët. Përdorimi ironik i dialekteve të jugut dhe veriut, edhe në gojën e të studiuarve, apo përçmimi i xhubletës dhe fustanellës, nga të dyja kahet, përveçse shenjë e thellë e injorancës, është mangësi po aq e thellë e pranimit të së ndryshmes, e cila nuk i bën nderë askujt. Asnjë program politik kombëtar, për të vlerësuar thesaret e traditës shqiptare në veri dhe jug, për të afruar më shumë njëri-tjetrin. Komunizmi, mosfalja, mungesa e tolerancës krahinore kanë rrënjosur një ndasi, e cila do forcë arsyeje dhe atdhedashuri irracionale për t’u superuar.

TOLERANCA FETARE

E proklamuar kjo, si ndër vlerat më kulmore të bashkëjetesës midis shqiptarëve, edhe toleranca fetare në Shqipëri nevojitet të kuptohet e vënë në një plan kritik me psikologjinë e shqiptarit. Duhet pranuar fakti se ky vend radhitet ndër të paktit në botë, për shumëllojshmëri besimesh mbi hapësirë territoriale dhe numër popullsie. Tri fe zyrtare dhe dy sekte fetare, përmbi dy milionë rezidentë e për 28 mijë km katrorë. Në risinë e saj me besimin e vetëm kristian, Shqipëria, si shumë vende të globit jetoi me ardhje te feve të tjera, apo konvertime fetare, por në ndryshim nga të fundit, ky diversitet besimesh nuk u kushtëzua për shkak të lëvizjeve migratore, as të brendshme as edhe nga jashtë.

Vetë popullata shqiptare, ka pësuar transformime fetare, diku të kushtëzuara nga pushtimet, diku tjetër nga një kërkesë humane për të pranuar një besim ndryshe, e diku tjetër për shkaqe jo racionale. Ndryshimi i besimeve është një e drejtë e njeriut sa çdo e drejtë e tij jetësore, vetëm se ky prezupozohet të jetë një proces ku, shpejtësia e konvertimit me vlerat e besimit në fe’, duhet të rrinë në përpjesëtim të zhdrejtë. Pas rënies së diktaturës drejtimi ka qenë pikërisht kështu. Një pjesë u konvertuan me shpejtësi pas presionit të vënë nga regjimi diktatorial, që shkoi deri në mbylljen e objekteve të kultit. Por një pjesë tjetër e konvertimeve vjen mbi zonat vulnerabël, ku edhe takimi me fenë, është një mënyrë për t’u asimiluar në një formë ndihme dhe bamirësie njëkohësisht.

Pa diskutim, kjo qasje bashkëpunimi i bën nder çdo qytetari të këtij vendi, edhe pse, duhet pranuar pa druajtje që fakti i tolerancës, çuditërisht, bën më shumë habi brenda Shqipërisë, sesa jashtë saj. Fjala tolerancë, përtej pozicionit nën germën “T” të Enciklopedisë Shqiptare, nuk ka llambë Diogjeni që do mund ta gjente në diskursin familjar, fisnor, publik e shtetëror, qoftë edhe e fshehur në një mënyrë politeske të komunikimit, si fjala vjen “ndjesë”, apo largqoftë “na/më falni”. Fatkeqësisht, në numrin më të madh të tyre, shtimi i varrezave vjen nga mungesa e njohjes së kësaj fjale ndër shqiptarë. Mijëra njerëz të vrarë për një tullë muri, mijëra të tjerë për një vijë uji, qindra të tjerë për një pasqyrë makine, dhjetëra të tjerë për një “pse m’shikon?”, shumë të tjerë për kampionatin PD-PS.

Në një vështrim të ftohtë antropologjik, ndër shkaqet e këtyre vdekjeve mund të rreshtohen miliona probabilitete, po ku fjala tolerancë nuk kalon as tangent. Pyetja rëndom vjen: mundet që shqiptarët të mos jenë tolerantë në asnjë drejtim, por vetëm për besimin fetar? Duke qenë se matematika nuk është opinion, sipas një ekuacioni të thjeshtë, x me rregull treshi, rezulton që aq sa tolerantë janë në përditshmërinë e problemeve, po aq do të mund të jenë edhe në çështjen fetare. Po atëherë ku mund të kërkohet toleranca vetëm fetare e shqiptarëve: ndofta në paganizmin e rrënjosur, apo në besimin sipërfaqësor, apo ndopak nga të dyja, apo diku tjetër. Deri atëherë, një leksion të përshpejtuar tolerance mund të japë vetëm vendosja e çështjeve fetare, brenda programeve të partive politike (!).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajza e kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadaresë, Besiana, ka…