Mbijetoi 36 ditë në xhunglën e Amazonës
Një pilot është shpëtuar në xhungël 36 ditë pasi avioni të cilin drejtonte u rrëzua në Amazon. Antonio Sena u bashkua me familjen e tij të hënën pas një operacioni kërkim-shpëtimi pesë javë pasi u zhduk. Antonio u zhduk me 28 Janar, dy ditë para ditëlindjes së tij të 36-të, pasi u ngrit nga Alenquer në bregun verior të lumit Amazon.
Ai bëri një ulje të detyruar pas një problemi mekanik dhe arriti të merrte një çantë shpine me pak bukë dhe sende të tjera para se avioni të digjej. ”E vetmja gjë që më mbajti të fortë dhe më mundësoi të dilja gjallë ishte dashuria që kam për familjen time, dëshira që kisha për të parë përsëri, vëllain dhe motrën. Është një histori e dashurisë dhe besimit.”, u shpreh ai.
Ai u shpëtua nga disa kultivues gështenjash, të cilët më pas ngritën alarmin. Momenti emocionues kur u takua me familjen e tij u transmetua në televizionet braziliane para se të dërgohej me urgjencë në spital për një kontroll.